Taravari nisi me shkarkimin e drejtorëve ekonomikë të klinikave, paralajmëroi se nuk do të ekzistojnë si funksion

Ministri i ri i Shëndetësisë, Arben Taravari, dy orë pas marrjes së detyrës nga zëvendësministrja Maja Manoleva, njoftoi se nga sot do të fillojë shkarkimin e drejtorëve ekonomikë të klinikave. Siç tha Taravari, pas dy muajsh do të shkarkohen të gjithë dhe posti i drejtorit ekonomik nuk do të ekzistojë më, pra do të ketë […]

Taravari nisi me shkarkimin e drejtorëve ekonomikë të klinikave, paralajmëroi se nuk do të ekzistojnë si funksion

Ministri i ri i Shëndetësisë, Arben Taravari, dy orë pas marrjes së detyrës nga zëvendësministrja Maja Manoleva, njoftoi se nga sot do të fillojë shkarkimin e drejtorëve ekonomikë të klinikave. Siç tha Taravari, pas dy muajsh do të shkarkohen të gjithë dhe posti i drejtorit ekonomik nuk do të ekzistojë më, pra do të ketë vetëm një drejtor në klinika, transmeton Portalb.mk.

“U.d drejtorë ekonomikë janë 14 drejtorë, tashmë dhash urdhër në ministri, unë do shkoj në Shtip, të shohim spitalin atje, po kthehem t’i nënshkruaj. Sot po shkarkohen një numër i caktuar drejtorish ekonomike të cilave u përfundon mandati i ushtruesit të detyrës diku në mes të korrikut. Të gjithë do të shkarkohen. Ata me mandat, do të më duhen ndryshime ligjore dhe tashmë është dhënë urdhri për ndryshimin e ligjit sa më shpejt që të mos ketë më drejtorë ekonomikë. Konsideroni, për një muaj ose dy nuk do të ketë më drejtorë ekonomikë as me ligj”, tha Taravari.

Sa i përket atyre drejtorëve ekonomikë që kanë mandat deri në gusht apo shtator, Taravari tha se në ditët në vijim do ta shohë se si do të trajtohet pasi, siç tha ai, nuk dëshiron të rrezikojë padi kundër ministrisë.

I pyetur nëse fillimisht do të caktohen ato klinika ku nuk ka drejtor mjekësor që të ketë kush t’i menaxhojë dhe më pas të zgjidhen ato ekonomike, Taravari tha se nuk do të lejohet të mbeten bosh.

“Këto ditë do të emërojmë drejtorë mjekësorë në ato klinika ku nuk ka”, tha Taravari duke shtuar se kjo do të vlejë edhe për Klinikën e Toksikologjisë.

Taravari konfirmoi informacionin në opinion se drejtori i Klinikës për Kardiokirurgji, Marjan Shokarovski, këtë fundjavë nga zëvendësministrja e Shëndetësisë është rikthyer në postin e drejtorit të Klinikës për Kardiokirurgji.

“Është e vërtetë, më tha zëvendësministrja dhe mendoj se ka vepruar drejt sipas asaj që ka treguar KSHPK. Natyrisht, ajo riktheu drejtorin e vjetër dhe mendoj se vendimi është i drejtë. Në periudhën në vazhdim do të shohim ndoshta do të emërojmë drejtorë të rinj kudo”, tha Taravari.

I pyetur se sa larg është lidhja e Qendrës Klinike dhe kur mund të pritet, Taravari tha se sa më shpejt të bëhet, aq më mirë.

“Nuk ka nevojë për nxitim. Mendoj se maksimumi për një vit do të shkrihen. Na duhen sistematizime të reja që të mos ketë kaos, nuk do të doja të kishte sërish mosfunksionim, gjithçka të sinkronizohet dhe do të mundohem që sa më shpejt të bëhet bashkimi i Qendrës Klinike”, tha Taravari.

Taravari, në tribunën e koalicionit “VLEN”, para zgjedhjes së qeverisë së re, njoftoi se si ministër i Shëndetësisë, sapo e mori detyrën, do të avokojë për shkarkimin e drejtorëve ekonomikë të klinikave, për të cilët tha se afër 90 përqind janë u.d drejtorë, ndërsa për pjesën tjetër që me vendim do të paraqesin Propozim-amendamente ligjore që të mos ekzistojnë më drejtorët ekonomikë.

Kujtojmë se Komisioni Kundër Korrupsionit pranoi raportimet se shkarkimet e Drejtorit Mjekësor të Toksikologjisë dhe Drejtorit të Kardiokirurgjisë Shtetërore nga ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri ishin të pabazuara, duke thënë se me dy vendimet e ministrit është shkelur Ligji për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konflikti i Interesit dhe Ligji për mbrojtjen shëndetësore.

LEXO: Demiri reagoi ndaj qëndrimit të Antikorrupsionit: Drejtorët e Toksikologjisë dhe Kardiokirurgjisë kanë bërë lëshime në punë