Taulant Xhaka mbron vëllain: Mos harroni çfarë ka dhënë Graniti për Zvicrën

Taulant Xhaka ka dalë në mbështetje të vëllait të tij, Granit Xhakës, pas kritikave të fundit ndaj kapitenit të Zvicrës, transmeton albinfo.ch.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Taulanti ka theksuar se gabimet janë pjesë e futbollit dhe se askush nuk është i pagabueshëm.
“Mos harroni kurrë atë që Granit Xhaka, vëllai im, ka dhënë ndër vite për Zvicrën. Sa shumë zemër, pasion dhe krenari ka treguar për këtë vend dhe për këtë fanellë”, ka shkruar ai.
Taulant Xhaka ka kërkuar gjithashtu që kritikat të shoqërohen me mirëkuptim, duke theksuar se të gjithë njerëzit bëjnë gabime dhe se e rëndësishme është të pranohen dhe të nxirren mësime prej tyre.
Në fund, ai i ka shprehur publikisht mbështetjen vëllait të tij.
“Vëlla, jam krenar për ty. Kam qëndruar pas teje, qëndroj pas teje dhe gjithmonë do të qëndroj – çfarëdo që të ndodhë. Familja mbetet familje, në ditë të mira dhe në ditë të vështira”, ka shkruar Taulanti.
Reagimi vjen pasi Granit Xhaka ka pranuar se kishte blerë një certifikatë të falsifikuar vaksinimi kundër COVID-19./Albinfo.ch
The post Taulant Xhaka mbron vëllain: Mos harroni çfarë ka dhënë Graniti për Zvicrën appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



