Foda thyen heshtjen për tërheqjen e Rrahmanit: “Ka shumë dramë që po ekzagjerohet”

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, ka komentuar për herë të parë vendimin e Amir Rrahmanit për t’u tërhequr përkohësisht nga Përfaqësuesja e Kosovës, përcjell albinfo.ch.
Foda ka treguar se Rrahmani e ka informuar personalisht për vendimin e tij, të cilin kapiteni e lidhi me udhëheqjen aktuale të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
“Gjithçka është shumë emocionale në Kosovë. Fakti është se Amir Rrahmani ka dhënë dorëheqjen. Ai më informoi personalisht për këtë. Por të gjithë lojtarët që janë në formë dhe që do t’i ftoj do të jenë atje të hënën dhe do të përgatiten për ndeshjet së bashku me mua”, ka thënë Foda për “CANAL+”, gjatë ndeshjes së Ligës së Evropës mes Sturm Grazit dhe Rennesit, raportojnë mediat austriake.
Përzgjedhësi gjerman ka mohuar se vendimi i Rrahmanit mund të pasohet nga largime apo bojkotime të tjera të lojtarëve.
“Ka shumë dramë që po ekzagjerohet. Ideja se edhe më shumë lojtarë duan të bojkotojnë ekipin kombëtar nuk është e vërtetë”, ka deklaruar Foda.
Rrahmani: “Përderisa FFK-në e udhëheqin personat aktualë”
Rrahmani, 32-vjeçar, e njoftoi tërheqjen e përkohshme të premten e kaluar. Ai ka bërë 67 paraqitje dhe ka shënuar shtatë gola për Kosovën, ndërsa pjesën më të madhe të ndeshjeve i ka zhvilluar si kapiten.
Në një deklaratë publike, mbrojtësi i Napolit shkroi se nuk do të jetë pjesë e Përfaqësueses “përderisa FFK-në e udhëheqin personat aktualë”.
Rrahmani iu bashkua përfundimisht Kosovës në vitin 2016, pas paraqitjeve në nivelin senior edhe me Shqipërinë. Gjatë viteve të tij me Kosovën, ai ka qenë një prej futbollistëve me më shumë paraqitje dhe një prej kapitenëve kryesorë të ekipit.
Para njoftimit për tërheqjen, zyra ligjore “Hodaj & Partners” bëri të ditur se kishte marrë përsipër përfaqësimin e Rrahmanit lidhur me, siç thuhej në deklaratë, “sulmet, kërcënimet, fyerjet dhe cenimin e reputacionit të tij nga persona kyçë dhe të lidhur brenda FFK-së”.
Sipas kësaj zyre, Rrahmani për më shumë se dy vjet ishte përballur me kërcënime, sulme dhe presione, ndërsa shqetësimet e tij, sipas tyre, kishte zgjedhur t’i adresonte brenda strukturave të futbollit kosovar.
Ndërkohë, FFK-ja deri tani nuk është deklaruar publikisht lidhur me vendimin e Rrahmanit dhe akuzat e ngritura prej tij.
Kosova pritet të vazhdojë përgatitjet për ndeshjet e radhës, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Rrahmani do t’i rikthehet Përfaqësueses pas zhvillimeve të fundit. /Albinfo.ch
The post Foda thyen heshtjen për tërheqjen e Rrahmanit: “Ka shumë dramë që po ekzagjerohet” appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



