Transporti publik në Shkup, mes “shërbimeve më të këqia në vend”, proceset birokratike e rëndojnë problemin

Qytetarët që përdorin transportin publik në Shkup po përjetojnë golgotë. Shoferët privatë në mungesë të pagesave të caktuara me kontratë i kanë reduktuar linjat gjë që ka shkaktuar rrëmujë nëpër autobusa dhe huti për oraret e tyre. Viteve të fundit, kualiteti i shërbimit është në rënie dhe nga qytetarët vlerësohet si një nga shërbimet më […]

Transporti publik në Shkup, mes “shërbimeve më të këqia në vend”, proceset birokratike e rëndojnë problemin

Qytetarët që përdorin transportin publik në Shkup po përjetojnë golgotë. Shoferët privatë në mungesë të pagesave të caktuara me kontratë i kanë reduktuar linjat gjë që ka shkaktuar rrëmujë nëpër autobusa dhe huti për oraret e tyre. Viteve të fundit, kualiteti i shërbimit është në rënie dhe nga qytetarët vlerësohet si një nga shërbimet më të këqija në vend. Ata për Portalb.mk thonë se po përballen me shumë sfida, si reduktimet e linjave, vonesat, temperaturat e larta gjatë udhëtimit dhe pagesat. Ndërmarrja Qarkulluese Transportuese Publike – Shkup hesht për këtë tollovi.

Ndërmarrja Qarkulluese (Transportuese) Publike – Shkup, është krijuar në vitin 1947. Sot, 76 vite më pas, nga të dhënat zyrtare, kjo ndërmarrje në përbërjen e saj ka 7 njësi të punës, 600 shoferë dhe 1252 km rrugë që përfshin transport publik për linjat e qytetit dhe atyre periferike.

NQP – Shkup, foto nga Portalb.mk.

Në ueb faqen e ndërmarrjes, në kolonën e prokurimeve publike, nuk kemi të regjistruar asnjë aktivitet gjatë vitit 2024. Të dhënat zyrtare sa i përket gjendjes aktuale, përkatësisht numrit të autobusëve e vjetërsisë së tyre për vitin 2024, nuk ka në kolonën përkatëse, përditësimi i fundit është ai i vitit 31.12.2012, ndërkaq në raportin e përgatitur për periudhën mes muajve tetor-dhjetor të vitit 2023, qëndron se NQP ka gjithsej 342 autobus.

16 autobusë janë më të vjetër se 29 vite (duke llogaritur nga regjistrimi e parë), ndërsa 33 prej tyre janë më të vjetër se 3 vite (duke llogaritur regjistrimi e parë), si dhe 213 janë të tipit “Yutong”, për të cilat, rikujtojmë se Prokuroria e atëheshme Speciale e Maqedonisë inicoi urdhër për zbatimin e procedurës hetimore në rastin “Dizajn”, ku ish drejtori i NQP, Igor Janushev, u dënua me 2 vite burg me kusht për keqpërdorimin e detyrës dhe autorizimit zyrtar, parashikuar me paragrafin 5 të nenit 353 të Kodit Penal të RMV-së.
Më tej, në kolonën e adresimit të drejtorit gjeneral, si projekt, do ta gjeni edhe Rrotën Panoramike, punimet e së cilës ishin ndërprerë rreth 7 vite më parë.

Ueb faqja deri në publikimin e këtij teksti nuk është e qasshme në gjuhën shqipe dhe angleze, që do të thotë se qytetarët apo turistët që kërkojnë të informohen rreth shërbimeve në këto dy gjuhë, nuk mund ta bëjnë të njëjtën. Në kolonën “Pyetje, përgjigje dhe ankesa” vëren pyetje nga shkollarët e mesëm dhe studentët që ndjekin mësimin në institucionet private, që ka interes për tu liruar nga paga mujore e transportit publik njëlloj si ato nxënës që ndjekin mësimet në shkollat e mesme të krijuara nga Qyteti i Shkupit, përkatësisht shteti. Kërkesë kishte edhe nga filloristët, por të drejtën e tillë e gëzojnë vetëm shkollat që kanë nënshkruan kontratë me NQP – Shkup. Nga 1137 sipas raportit deri më datë 31.12.2023 të punësuar në kuadër të ndërmarrjes, vetëm 150 janë gra apo 13,19%.

Çmimet më të lira për abonimet vjetore të transportit publik në rajon janë të regjistruara në Kosovë edhe atë 8863 denarë, Maqedonia e Veriut renditet pas saj 15,400 denarë, kryeson Mali i Zi me 22,151 denarë.

Në të dhënat publike që arritëm të sigurojmë nga faqja zyrtare e NQP-së, thuhet se gjatë vitit 2023, përkatësisht nga 01.01.2023 deri më 31.12.2023, të ardhurat e përgjithshme ishin 2,069,745,265 denarë. Shoferët privat që kontaktuan redaksinë tonë, por që deshën të ngelin anonim, na informuan se pagesa e fundit kundrejt tyre ishte realizuar javën e kaluar, mirëpo ajo ishte për muajin janar. Borxhi total sipas tyre është rreth 2 milion euro, ndërkaq në mungesë të mundësive për të mbuluar harxhimet, ato detyrohen të punojnë me kapacitet më të ulët. Raste të tilla ishin raportuar edhe në muajin shkurt, por akoma nuk ka përgjigje për pagesat.

Autobus privat, foto nga Portalb.mk

“Herën e fundit që kemi pranuar pagesë, për muajin janar, ka qenë javën e kaluar, madje fatura e paguar kundrejt nesh ishte e pa nënshkruar nga ana e tyre. Borxhi në total për të gjithë ne varion diku 2 milion euro. Sfidat tona janë të shumta, ne kemi shoferë, borxhet ndaj kompanive që na furnizojnë me karburante, sigurimet e autobusëve. Ne jemi më së paku ato që duan të shkaktojnë kaos, po vuajmë, por vazhdojmë e punojmë me kapacitet më të ulët. Autobusët që shkojnë drejt Çairit, 9 dhe 19 këto ditë kanë qenë vetëm 30% i tyre në qarkullim, ndërkaq të dielën kishte vetëm 2 autobusë në qarkullim. Kolegët nuk dalin, ngase nuk mund ti financojnë harxhimet. Kjo na ka detyruar neve të punojmë me kapacitet më të ulët. Ne nuk kemi të ardhura tjera, ndërkaq me këtë gjendje ne nuk mund të sigurojmë as kushtet për jetesë”, thanë shoferët.

Lidhur me këtë çështje, redaksia e Portalb.mk, kontaktoi NQP – Shkup dhe dërgoi porosi në adresën elektronike, por deri në momentin që kemi përgatitur materialin nuk kemi marrë përgjigje.

Porosi dërguar NQP – Shkup, foto nga Portalb.mk.

Qytetarët nga ana tjetër, në këto temperatura të larta, ngelin nëpër stacione duke pritur autobusët. Vonesat variojnë 20-25 minuta, pavarësisht se NQP ka evidencë për autobusët. Turmat zakonisht krijohen në orët e mëngjesit, kur nxënësit, studentët dhe punonjësit e sektorëve të ndryshëm shfrytëzojnë transportin publik për destinacionet e tyre, por pavarësisht orareve të paracaktuara, ata nuk vijnë në kohë. Qytetarët që shfrytëzojnë transportin publik thonë se linjat janë reduktuar, kurse kushtet nuk janë të volitshme. Duke “ironizuar” ata thonë se kondicionerët e vendosur në autobusë, punojnë në “përputhje” me stinën.

“Disa autobus vijnë, të tjerët nuk vijnë. Autobusi me numër 2 nuk erdh. I reduktojnë linjat. Turmat krijohen zakonisht në këtë kohë pasdite, dhe në mëngjes. Gjatë stinës së dimrit ngjan se lëshojnë të ftohtë, ndërkaq gjatë stinës së verës nxehtë”, tha një qytetar që po priste autobus.

Duke parë gjendjen aktuale të autobusëve, ai rekomandoi të njëjtit të menaxhohen, të paktën çdo pesë vite dhe ata që nuk janë në gjendje të mirë, të largohen nga përdorimi. Për gjithë këtë, ata propozojnë që të sigurohet buxhet, ngase kreditë e mara ngelin barë e qytetarëve. Nisur nga kjo nuk pajtohet me fatin që është lindur në këtë vend.

“Duhet menaxhuar çdo 5 vite, ata që nuk funksionojnë duhet të largohen. Duhet të investohet para, çfarë mendojnë ato. Çdo herë diskutohet kush do paguaj, nuk mundet gjithmonë me para të huaja të bësh diçka, poqë se ka, apo merr kredi, dhe pastaj duhet të paguaj populli. Ashtu paska qenë fati, të lindemi këtu”, shtoi qytetari.

NQP – Shkup pranon mendimet dhe sugjerimet tuaja, ndaj mund tu shkruani në linkun duke kontribuar në transportin publik në Shkup. Në mungesë të kushteve përkatëse dhe shërbimeve adekuate nga transporti publik, qytetarët detyrohen të shfrytëzojnë mjete tjera transportuese alternative, por të njëjtit përballen me sfidat infrastrukturore dhe urbanistike.

LEXO: Janushevi i VMRO-së u dënua me kusht për autobusët nga Kina, në bazë të paragrafit i cili tani bëhet inekzistent LEXO: Shkup, linja 19 pritet me orë, qytetarët të revoltuar, transportuesit ankohen se NQP nuk u lëshon para LEXO: Mungesa e shtigjeve, çiklistët që lëvizin në Çair rrezikojnë jetët e tyre, Komuna shkeli premtimet (VIDEO)