Zhegrova shkëlqen ndaj Napolit, mediat italiane ironizojnë Spallettin

Edon Zhegrova ka marrë vlerësime të larta nga mediat italiane pas paraqitjes së tij në fitoren 2:0 të Juventusit ndaj Napolit, të dielën në mbrëmje, përcjell albinfo.ch.
Futbollisti i Kosovës u aktivizua në pjesën e dytë nga trajneri Luciano Spalletti dhe arriti të ndikojë në lojën e skuadrës bardhezi, duke sjellë më shumë kreativitet dhe rrezik në sulm.
Në rreth 30 minuta lojë, Zhegrova dhuroi asistimin për golin e parë të Juventusit, të realizuar nga Kerim Alajbegovic në minutën e 70-të.
Paraqitja e tij nuk kaloi pa u vënë re nga mediat italiane. Sportmediaset e vlerësoi reprezentuesin kosovar me notën 7.5, duke e renditur ndër futbollistët më të mirë të ndeshjes.
Mediumi italian ironizoi edhe trajnerin Luciano Spalletti për vendimin që vazhdon ta mbajë Zhegrovën jashtë formacionit titullar.
Sipas Sportmediaset, në 27 paraqitjet e tij në kampionat me Juventusin, Zhegrova nuk ka nisur asnjëherë nga minuta e parë.
Me një dozë ironie, mediumi shkruan se futbollisti kosovar duket se nuk di më si t’ia kërkojë trajnerit një vend në formacionin bazë, duke bërë shaka se mund ta vendosë këtë kërkesë edhe në targën e veturës së tij.
Vlerësimi i lartë ndaj Napolit ka rikthyer diskutimet për minutat që Zhegrova po merr te Juventusi, veçanërisht duke pasur parasysh aftësitë e tij teknike, driblimet dhe mundësinë për të krijuar raste shënimi.
Pavarësisht se vazhdon të aktivizohet kryesisht nga banka rezervë, 27-vjeçari po dëshmon se mund të jetë një element i rëndësishëm në repartin ofensiv të skuadrës torineze.
Fitorja ndaj Napolit ishte e rëndësishme për Juventusin, ndërsa paraqitja e Zhegrovës ka shtuar argumentet në favor të aktivizimit të tij si titullar në ndeshjet e ardhshme.
The post Zhegrova shkëlqen ndaj Napolit, mediat italiane ironizojnë Spallettin appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



