Ervin Demo takon homologun italian Matteo Piantedosi: Polici më e përgatitur, më shumë siguri për qytetarët

  • Ndaje
Ervin Demo takon homologun italian Matteo Piantedosi: Polici më e përgatitur, më shumë siguri për qytetarët

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, është takuar me homologun e tij italian, Matteo Piantedosi. Nga ky takim mësohet se u diskutuan disa çështje si: Zhvillimi i Akademisë së Sigurisë sipas përvojës italiane, përfundimi i marrëveshjeve në fushën e sigurisë dhe njohja automatike në Itali e certifikatave të lindjes të lëshuara përmes e-Albania.

Një vëmendje të veçantë mori e ardhmja e Akademisë së Sigurisë, me synimin që organizimi dhe formimi profesional i punonjësve të Policisë të mbështeten në përvojën italiane. Gjatë takimit të tyre u bë me dije se bashkëpunimi me institucionet homologe italiane synon përmirësimin e programeve të studimit, forcimin e përgatitjes praktike dhe shkëmbimin e ekspertizës. Në këtë kuadër, u diskutua edhe programi vjetor i trajnimeve, për t’i pajisur punonjësit e Policisë me aftësitë e nevojshme për hetimin, parandalimin e krimit dhe shërbimin ndaj qytetarëve.

Dy ministrat diskutuan gjithashtu marrëveshjet në fushën e sigurisë, të cilat janë në fazën përfundimtare dhe do të firmosen mes dy vendeve. Këto marrëveshje synojnë të forcojnë më tej bashkëpunimin shqiptaro-italian dhe koordinimin mes strukturave përgjegjëse për sigurinë.

Ministri Demo trajtoi gjithashtu çështjen e njohjes automatike së certifikatave të lindjes, nga autoritetet italiane, lëshuar nga gjendja civile shqiptare, në formën që shkarkohen e printohen nga e-Albania.

Pjesë e bisedimeve ishte edhe intensifikimi i bashkëpunimit policor, përmes shkëmbimit të informacionit në kohë reale, zgjerimit të skuadrave të përbashkëta hetimore dhe koordinimit për identifikimin e kapjen e personave në kërkim. Këto mekanizma synojnë reagim më të shpejtë dhe goditje më efektive ndaj veprimtarisë kriminale në të dy vendet.

The post Ervin Demo takon homologun italian Matteo Piantedosi: Polici më e përgatitur, më shumë siguri për qytetarët appeared first on Euronews Albania.


Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.