Ky është dokumenti që thekson se Qeveria LSDM – BDI i hapi dyert Alta Bankës që në vitin 2023 (DOKUMENT)
Publikimi i dokumentit zyrtar nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe denoncimet e deputetit të VLEN-it, Adnan Azizi, gjatë debatit në Komisionin për Financa dhe Buxhet në Kuvend, kanë nxjerrë në dritë prapaskenat e hyrjes së këtij kapitali në sektorin bankar të vendit.
Dokumenti i prezantuar nga deputeti Azizi sot në konferencën me mediat është një ekstrakt nga procesverbali i mbledhjes së 194-të të Qeverisë e mbajtur më 24 tetor 2023 under drejtimin e ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski.
Sipas dokumentit, me propozim të ish-ministrit të Financave, Fatmir Besimi, Kabineti i atëhershëm i kishte dhënë dritën e gjelbër Avokaturës së Shtetit për të hyrë në marrëdhënie afarist me Alta Bankën në Beograd, në pronësi të biznesmenit serb Davor Macura.
Sipas kryeministrit Mickoski, që në vitin 2023 qeveria e atëhershme i dha udhëzim Avokaturës së Shtetit të hynte në marrëdhënie afariste me të njëjtin pronar dhe këtu shtrohet pyetja se a e dinin ata atëherë se kush është Davor Macura apo kur vendosën t’ia shisnin aksionet shtetërore në bankë, a kishin ndonjë ide se bëhej fjalë për kapital rus apo para të fituara në mënyrë kriminale.
Në të njëjtën linjë akuzash, deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ngriti dyshime të forta mbi transaksionet e kompanisë AS Senjak, duke pretenduar se pronari i saj ka lidhje miqësie apo krushqie me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, dhe kërkoi që këto lëvizje financiare të përfshihen në hetimet zyrtare. Azizi renditi tri data kyçe, ku më 24 tetor 2024 kompania AS Senjak bleu aksione në Stopanska Banka Bitola nga një kompani e lidhur me Sasho Mijallkovin, më 9 qershor 2025 një kompani tjetër ku AS Senjak është bashkëpronare mori një kredi prej 5 milionë eurosh nga Alta Banka në Beograd, ndërsa më 17 shtator 2025 aksionet e AS Senjakut në Stopanska Banka Bitola iu vendosën në shitje dhe iu kaluan Alta Bankës. Deputeti Azizi pyeti publikisht nëse Ali Ahmeti ishte në dijeni të këtyre transaksioneve dhe nëse këto lëvizje do të hetohen, ndërsa e cilësoi mospjesëmarrjen e përfaqësuesve të BDI-së në debat si ikje nga përgjegjësia publike para qytetarëve.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.