Ndryshimet në Kodin Penal kalojnë leximin e dytë në komisionin amë
Komisioni amë në Kuvend kaloi leximin e dytë të Kodit Penal. Propozimi iu dërgua deputetëve për miratim. Me ndryshimet e parapara në pjesën e konfiskimit të pasurisë mbi bazën e aktvendimeve gjyqësore përfshihen edhe kriptovalutat, një industri e cila për momentin në vendin tonë nuk është e rregulluar me ligj.
“Pronë do të thotë para ose mjete të tjera pagese, letra me vlerë, depozita, burime ekonomike pasuri të tjera në çdo formë, të luajtshme ose të paluajtshme, të prekshme ose të paprekshme, duke përfshirë asete (paratë) virtuale në përputhje me ligjin”, thuhet në Kodin Penal, Neni 122, paragrafi 38.
PARATË VIRTUALE PJESË E PASURISË SË KONFISKUAR
Ekspertët e hetimeve financiare dhe krimit financiar online kanë ngritur dyshimet mbi mënyrën se si do të identifikohen persona që kanë pasuri të tillë. Duke u bazuar në praktikat e vendeve të rajonit, identifikimi i tyre do të bëhet përmes disa ndryshimeve ligjore që duhet miratuar. E para duhet krijuar institucioni që i kontrollon, në rastin konkret Banka Popullore. Më pas subjektet që bëjnë këmbimin e tyre me para kesh, duhet të informojnë Bankën Popullore për identitetin e personi që posedon vlerë monetare në kripto, ndërsa përmes Ligjit për deklarimin e pasurisë do të obligohen të gjithë të paraqesin vlerat monetare. Në rast se konstatohet mosdeklarimi, personi ndiqet penalisht. Një rol të rëndësishëm do të ketë edhe Policia Financiare dhe Drejtoria e Inteligjencës Financiare. Ndryshimet në Kodin Penal vijnë paralelisht me kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë dërguar në Komisionin Evropian për të vlerësuar draftin e Kodit Penal të ri të cilin e kërkoi ky institucion edhe në raportin e fundi të progresit për Maqedoninë e Veriut./Alsat.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.