Protesta para Kryeministrisë, qytetarët përplasen me policinë gjatë vendosjes së gjobave

  • Ndaje
Protesta para Kryeministrisë, qytetarët përplasen me policinë gjatë vendosjes së gjobave

Ka nisur protesta e radhës në Tiranë, ku qytetarë, të rinj dhe studentë janë mbledhur edhe këtë të hënë para godinës së Kryeministrisë.

Tubimi vjen pas protestave të zhvilluara ditët e fundit, të cilat janë shoqëruar edhe me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit.

Ndërkohë, rreth orës 19:45, është regjistruar një incident mes disa qytetarëve dhe punonjësve të policisë, të cilët po vendosnin gjoba administrative për personat e konstatuar në protestë. Efektivët u kanë kërkuar qytetarëve dokumentet e identifikimit për të kryer procedurën e ndëshkimit administrativ, por janë përballur me kundërshtimin e tyre.

Një qytetar i tha Euronews se ishte ndaluar nga policia teksa po kalonte në trotuar dhe se një efektiv i kishte komunikuar se ishte fotografuar gjatë tubimit.

“Po kaloja në trotuar dhe një punonjës policie më kërkoi mjetin e identifikimit, duke më thënë se isha fotografuar në tubim. Polici po bënte gjobën, por unë nuk ia firmosa dhe i kërkova arsyen. Më tha se isha fotografuar në tubim. Unë i thashë se kisha qenë duke kaluar në trotuar me shokët. Më ndaloi dhe më tha se isha konstatuar në foto”, rrëfeu qytetari për Euronews.

Megjithatë, pas incidentit, efektivët e policisë janë larguar nga zona.

The post Protesta para Kryeministrisë, qytetarët përplasen me policinë gjatë vendosjes së gjobave appeared first on Euronews Albania.


Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.