Greva në Infrakos, ndalet qarkullimi i trenave në gjithë Kosovën

  • Ndaje
Greva në Infrakos, ndalet qarkullimi i trenave në gjithë Kosovën

Qarkullimi i trenave në Kosovë është ndërprerë të dielën nga ora 08:00, si pasojë e grevës së punëtorëve të Ndërmarrjes Publike “Infrakos”, të cilët kërkojnë indeksimin e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës.

Kryetari i Sindikatës së Infrakos-it, Hysen Nikqi, ka bërë të ditur se greva përfshin gjithë territorin e Kosovës, duke pezulluar edhe qarkullimin e trenave në relacionin Prishtinë–Pejë dhe anasjelltas.

Ai ka theksuar se kjo është faza e parë e grevës, e cila, sipas tij, është organizuar pas mungesës së reagimit nga bordi dhe menaxhmenti ndaj kërkesave të punëtorëve.

“Këshilli Grevist sot e ka paralajmëruar një grevë të cilën kemi fillu sot në orën 08:00 edhe do të përfshijë gjithë territorin e Kosovës. Si pasojë e grevës do të ndalet edhe qarkullimi i trenit në relacionin Prishtinë-Pejë dhe anasjelltas. Kjo është faza e parë e grevës, nuk kemi dëshiruar me bë me organizu, por kemi qenë të detyruar, sepse para dy javëve kemi mbajtur një protestë paralajmëruese për sensibilizimin e opinionit, bordit, menaxhmentit, qeverisë për kërkesat tona të drejta edhe ligjore. Të cilat deri më sot nuk e ka dhënë asnjë efekt, nuk e kanë dhënë asnjë shenjë që ata janë të gatshëm me lëviz diçka. Edhe kështu që sot kemi filluar grevën, edhe greva është në krejt territorin e Kosovës”, ka deklaruar Nikqi.

Ai ka paralajmëruar se ndërprerja e shërbimeve hekurudhore do të vazhdojë deri në marrjen e një vendimi me shkrim nga bordi për kërkesat e punëtorëve. Sipas tij, kërkesa kryesore është indeksimi i pagave, por punëtorët kërkojnë edhe rritjen e pagesës për shujtë dhe kompensimin retroaktiv për tre muajt e fundit.

“Asnjë shërbim, asnjë qarkullim, as sot, as nesër, por këtë e ndryshon vetëm vendimi i bordit. Nëse ata marrin një vendim edhe ne e kemi një vendim të shkruar, jo vetëm fjalë, atëherë po Këshilli organizohet, e përfundon për këtë grevën…Kërkesë kryesore janë pagat. E para edhe vetmja janë pagat, por kemi edhe kërkesa të tjera si rritjen e shujtës, pagesën në mënyrë retroaktive për tre muajt e fundit, sepse këto i kemi diskutuar me bordin për takimin që kemi… Po, për shkallëzimi i pagave”, ka thënë Nikqi.

Edhe anëtari i sindikatës, Ekrem Tahiri, ka deklaruar se greva është organizuar si pasojë e mosadresimit të kërkesave nga bordi mbikëqyrës dhe drejtuesit e ndërmarrjes.

Ai ka thënë se kërkesat e punëtorëve kanë karakter social, duke veçuar indeksimin e pagave dhe rritjen e kompensimit për ushqim. Sipas tij, pagesa aktuale prej 2.5 eurosh për shujtë është e pamjaftueshme për një punëtor që kryen ndërrim tetëorësh.

“Kjo grevë ka ardhur si pasojë mos dëgjimit nga stafi punëdrejtuese të organizatës, siç është Bordi mbikqyrës, dhe faktorët e tjerë që e menaxhojnë këtë organizatë. Realisht kërkesat tona janë kërkesa të karakterit social të punëtorëve. Ndër kërkesat më kryesore që është indeksimi i pagave të punëtorëve…Ky këshill ka me vazhduar deri në realizim e plotë të kërkesave tona. Përpos indeksimit është rritja e shujtës, marrë parasysh një punëtor sot të vijë të bëjë shërbim në tetë orë këtu dhe me 2 euro e gjysmë ta kalojë një ditë, nuk di sa do të mund të jetë ai njeri tamam në shërbim, se kur është barku i thatë edhe mendja nuk punon”, ka deklaruar Tahiri.

Ndërkohë, ndërmarrja “Trainkos” ka kërkuar mirëkuptim nga udhëtarët për ndërprerjen e transportit hekurudhor, duke njoftuar se shërbimet do të rikthehen sapo të krijohen kushtet për operim.

Greva ishte paralajmëruar gjatë protestës së 26 tetorit, e mbajtur para stacionit hekurudhor në Fushë-Kosovë.

Përveç indeksimit të pagave, punëtorët e Infrakos-it kërkojnë edhe përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e sigurisë, ndërsa shprehin pakënaqësi për mosplotësimin e kërkesave të tyre nga bordi dhe menaxhmenti i ndërmarrjes.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.