Studentët bojkotojnë mësimin dhe i bashkohen tubimit kombëtar

  • Ndaje
Studentët bojkotojnë mësimin dhe i bashkohen tubimit kombëtar

Protestat kundër qeverisë vijojnë edhe këtë të mërkurë, në ditën e 165-të të mobilizimit qytetar. Për këtë ditë është paralajmëruar një protestë kombëtare në Tiranë, ku pritet të marrin pjesë studentë dhe qytetarë nga disa qytete të vendit.

Tubimi është njoftuar të nisë në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit. Pas grumbullimit, protestuesit pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë, ku do të vijojë protesta.

Ndërkohë, studentët kanë nisur bojkotimin e mësimit për t’iu bashkuar mobilizimit. Studentë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, si dhe të Universitetit Politeknik, kanë braktisur auditorët dhe kanë nisur marshimin nën thirrjet “Dorëheqje”, me synimin për t’u bashkuar me studentët e fakulteteve të tjera.

Kërkesa e tyre kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Gjatë marshimit, studentët kanë shprehur pakënaqësinë për situatën aktuale, duke kërkuar përgjegjësi dhe reagim.

Protesta e sotme zhvillohet ndërsa kryeministri Edi Rama ndodhet në Dublin të Irlandës, ku është pritur gjithashtu me protestë nga emigrantë shqiptarë.

The post Studentët bojkotojnë mësimin dhe i bashkohen tubimit kombëtar appeared first on Euronews Albania.


Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.