Zgjerohen hetimet për Vlora Hysenin, SPAK shton akuzat ndaj ish-shefes së SHISH

  • Ndaje
Zgjerohen hetimet për Vlora Hysenin, SPAK shton akuzat ndaj ish-shefes së SHISH

Prokuroria e Posaçme ka zgjeruar hetimet ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror Vlora Hyseni, duke regjistruar dy akuza të reja për “pastrim parash” dhe “korrupsion”.

SPAK po verifikon një transfertë në një kompani ku është i punësuar vëllai i Vlora Hysenit, Izet DIngler. Ndërkohë po verifikohen edhe disa listpagesa që janë gjetur në zyrën e EATABACCO të Ergys Agasit.

Hyseni po hetohet në kuadër të dosjes së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ku emri i saj është përmendur për dyshime mbi lidhjet dhe komunikimet me biznesmenin Ergys Agasi.

Më herët, SPAK kishte nisur hetimet ndaj ish-drejtoreshës për dy vepra penale, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose i të dhënave sekrete”. Dyshimet e hetuesve lidhen me mundësinë që Hyseni të ketë ndihmuar Agasin gjatë kohës kur ai ndodhej në arrati, duke i siguruar informacione konfidenciale shtetërore.

Ndërkohë, masa e sigurisë ndaj saj mbetet në fuqi. Më 4 nëntor 2026, Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi kërkesën e Hysenit për zbutjen e masës, duke lënë në fuqi arrestin në shtëpi dhe pezullimin nga ushtrimi i funksioneve publike.

Ish-drejtoresha u vendos në arrest shtëpie më 21 shtator 2026, me vendim të GJKKO-së, ndërsa në atë kohë ndodhej në Baku të Azerbajxhanit për një vizitë pune.

Vlora Hyseni ka mohuar akuzat ndaj saj, duke deklaruar se ka vepruar vetëm në përmbushje të detyrës dhe se nuk e ka përdorur SHISH-in në interes të individëve apo nismave që mund të cenonin interesat e Shqipërisë.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.