Milani planifikon huazimin e talentit të madh në janar, katër klube interesohen për sulmuesin e talentuar
Francesco Camarda mund të largohet përkohësisht nga Milani në merkaton e janarit. Drejtuesit kuqezi po mendojnë ta huazojnë sulmuesin 18-vjeçar deri në fund të sezonit, në mënyrë që ai të fitojë më shumë hapësira dhe të vazhdojë zhvillimin e karrierës.
Pavarësisht pritshmërive të mëdha që shoqëruan ngjitjen e tij në ekipin e parë, Camarda nuk ka arritur të sigurojë minutat e dëshiruara. Progresi i tij është ngadalësuar dhe Milani po shqyrton mundësinë që një eksperiencë në një tjetër skuadër të jetë zgjidhja më e mirë në këtë moment.
Sipas “Corriere dello Sport”, interesimi nuk mungon. Frosinone, Monza, Catanzaro dhe Pisa janë katër klubet që kanë bërë lëvizjet e para për të kuptuar mundësinë e transferimit të sulmuesit, qoftë në Serie A apo në Serie B.
Për Milanin, objektivi është i qartë: Camarda duhet të luajë rregullisht për të mos penguar më tej rritjen e një prej talenteve më premtues të futbollit italian.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.