Abdixhiku pas vendimit të Kushtetueses: Votim i hapur, konsensus dhe kompromis – tani të ndërpriten bllokimet
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që përcakton se zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit duhet të bëhet me votim të hapur dhe brenda një afati 30-ditor. Abdixhiku tha se thelbi i këtij vendimi qëndron në zbatimin e votimit të hapur, ndërtimin e konsensusit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që përcakton se zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit duhet të bëhet me votim të hapur dhe brenda një afati 30-ditor.
Abdixhiku tha se thelbi i këtij vendimi qëndron në zbatimin e votimit të hapur, ndërtimin e konsensusit dhe kompromisit – vlera që, sipas tij, e përbëjnë demokracinë dhe sjelljen normale politike.
“Votim i hapur – siç është vepruar gjithnjë – konsensus e kompromis – siç e kërkon demokracia e sjellja normale politike. Ky është thelbi i vendimit të sotëm. Kështu kishim kërkuar gjithnjë”, ka deklaruar ai.
Ai ka kritikuar humbjen e dhjetëra seancave për, siç tha, “teke të imponimit që u konstatua si jokushtetuese sot”.
Sipas Abdixhikut, nga nesër LDK pret që grupi më i madh parlamentar të respektojë aktgjykimin dhe të ndalë bllokadat institucionale.
“LDK pret që grupi më i madh parlamentar të veprojë në përputhje me këtë aktgjykim, t’i ndërpresë bllokimet dhe të kontribuojë në konstituimin sa më të shpejtë dhe të rregullt të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, përfundoi ai.