AGK dhe shoqëria civile: Të anulohet vendimi për largimin e redaktorëve nga ekrani i RTK-së

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se bashkë me 19-të organizata të shoqërisë civile, si dhe me juristen e mediave, Flutura Kusari, qëndrojnë në solidaritet të plotë me gjashtë redaktorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) pas njoftimit se janë larguar nga moderimi i magazinave informative që kanë drejtuar. Në reagimin e

AGK dhe shoqëria civile: Të anulohet vendimi për largimin e redaktorëve nga ekrani i RTK-së

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se bashkë me 19-të organizata të shoqërisë civile, si dhe me juristen e mediave, Flutura Kusari, qëndrojnë në solidaritet të plotë me gjashtë redaktorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) pas njoftimit se janë larguar nga moderimi i magazinave informative që kanë drejtuar.

Në reagimin e përbashkët thuhet se konsiderojnë që vendimi ndaj gjashtë redaktorëve të RTK-së përbën ndërhyrjen e radhës në pavarësinë e transmetuesit publik, “dhe është bërë pak kohë pasi këta redaktorë kanë sfiduar me pyetje në emisionet e tyre përkatëse njerëz të pushtetit, dhe pasi kanë ngritur zërin e tyre për vonesat tre javore të pagave”.

“RTK është ballafaquar me ndërhyrje të vazhdueshme politike ndër vite, dhe në vitet e fundit edhe me shkurtim të buxhetit dhe ndërhyrje politike nëpërmjet emërimeve në menaxhment”.

Këto organizata kërkojnë nga menaxhmenti i RTK-së që të anulojë vendimin për largimin e redaktorëve nga ekrani televiziv, dhe çdo ndryshim në të ardhmen të bëhet në dialog me redaktorë dhe duke respektuar kontratat e punës.

“Transmetuesi publik ka rol të rëndësishëm për informim të publikut dhe gazetarët, redaktorët dhe pjesa tjetër e stafit të RTK-së duhet të lejohen të punojnë pa presion politik dhe financiar”.

“Organizatat e shoqërisë civile çmojnë guximin e redaktorëve për të sfiduar publikisht vendimet arbitrare dhe cenzuruese, dhe u ofrojnë përkrahje në ndjekjen e rrugëve ligjore për të anuluar vendimin që i largon ata nga ekrani televiziv”, thuhet në reagim.

Sipas njoftimit të gazetarëve Blerta Foniqi-Kabashi, Meneta Zekaj-Nushi, Jehona Zhitia, Arton Mulliqi, Edona Musa-Mustafa dhe Valon Bajrami ata “janë larguar në mënyrë arbitrare dhe antiligjore”.

Organizatat që reaguan janë këto:

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës;

Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës;

Flutura Kusari;

OJQ Pishtarët;

Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD);

Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS);

Rrjeti i Grave të Kosovës;

Lëvizja FOL;

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS);

Instituti i Kosovës për Drejtësi;

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë;

Community Building Mitrovica;

CEL Kosova;

Democracy Plus (D+);

Kosova – Women 4 Women;

Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED);

YMCA Movement;

ÇOHU/Preportr;

Instituti Sekhmet;

Instituti Demokratik i Kosovës;

Iniciativa Kosovare për Stabilitet – IKS.