Ahmeti në pritjen solemne të organizuar në Ambasadën e Kosovës në Washington
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, mori pjesë në pritjen solemne të organizuar në Ambasada e Republikës së Kosovës në Washington, D.C. me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në prani të përfaqësuesve të institucioneve amerikane, trupit diplomatik, komunitetit shqiptaro-amerikan dhe miqve të Kosovës, ai theksoi se 17 Shkurti


Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, mori pjesë në pritjen solemne të organizuar në Ambasada e Republikës së Kosovës në Washington, D.C. me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në prani të përfaqësuesve të institucioneve amerikane, trupit diplomatik, komunitetit shqiptaro-amerikan dhe miqve të Kosovës, ai theksoi se 17 Shkurti përfaqëson një moment historik për popullin e Kosovës dhe një dëshmi të partneritetit të palëkundur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në fjalën e tij, Zëvendësministri Ahmeti nderoi sakrificën e të gjithë atyre që humbën jetën gjatë luftërave dhe valëve të gjenocidit serb në Kosovë, duke theksuar se liria nuk iu dhurua Kosovës, por u fitua me qëndresë, sakrificë dhe besim të palëkundur në liri.
Ai shprehu mirënjohje të veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen vendimtare në momentet më të errëta të historisë sonë dhe për përkrahjen e vazhdueshme në konsolidimin e shtetësisë, forcimin e demokracisë dhe zhvillimin e vendit. Gjithashtu, ai vlerësoi kontributin historik të diasporës shqiptare në SHBA, e cila për më shumë se një shekull ka qenë në vijën e parë të angazhimit për çështjen e Kosovës dhe shqiptarëve dhe mbetet një urë e fuqishme lidhëse ndërmjet dy vendeve.
Duke e cilësuar Kosovën si një histori suksesi të sakrificës, qëndresës, demokracisë dhe partneritetit transatlantik, ai theksoi se rruga e saj ka qenë një rrugë shekujsh, jo vitesh. Zëvendësministri Ahmeti tha se lufta çlirimtare nuk ishte simetrike, por ishte e drejtë dhe e pastër, dhe u fitua me mbështetjen e partnerëve, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
Në mbyllje, ai rikonfirmoi përkushtimin e popullit dhe qeverisë së Kosovës për të qenë një partnere e besueshme, aleate e fortë dhe kontribuese aktive për paqe, stabilitet dhe prosperitet në rajon dhe më gjerë.

