Detaje nga aksidenti në qarkoren Radishan-Prishtinë-Mirkovcë! Arrestohet shoferi i kamionit

Një aksident i tmerrshëm trafiku në qarkoren e Shkupit vonë mbrëmë përfundoi me katër viktima, pasi një kamion me targa të Kosovës kaloi në kahun e kundërt dhe u përplas me një veturë. Pas goditjes, të dy automjetet u përfshinë nga flakët.
Aksidenti, siç njoftojnë nga MPB, është raportuar rreth orës 23:00 dhe ka ndodhur në segmentin mes mbikalimit te Vizbegovës dhe nyjës së Mirkovcit, afër Radishanit.
Sipas informacioneve fillestare, 76-vjeçari B.B. nga Kosova, duke drejtuar një kamion “MAN” me gjysmërimorkio, ka humbur kontrollin mbi automjetin, ka thyer gardhin mbrojtës dhe ka hyrë në korsinë e kundërt. Aty është përplasur drejtpërdrejt me një veturë “BMW” me targa të Shkupit, të cilën e drejtonte 51-vjeçari R.V. nga Shkupi.
Nga përplasja e fuqishme ka shpërthyer zjarr, ndërsa vetura dhe kabina e kamionit janë djegur plotësisht.
Në vendin e aksidentit kanë humbur jetën shoferi i veturës R.V., si dhe bashkëudhëtarët A.V. (20) dhe P.M. (20) nga Shkupi. Jetën e ka humbur edhe një person tjetër, identiteti i të cilit ende nuk është konfirmuar.
Ekipi i Ndihmës së Shpejtë ka konstatuar vdekjen e katër personave, ndërsa me urdhër të prokurorit publik trupat janë dërguar për obduksion.
Shoferi i kamionit është arrestuar dhe ndodhet në stacion policor, ndërsa institucionet kompetente po vazhdojnë hetimet. Nga policia kanë bërë të ditur se pas zbardhjes së plotë të rastit do të parashtrohet kallëzim penal përkatës.
Për shkak të këqyrjes në vendngjarje, trafiku në këtë pjesë të qarkores ka qenë i ndërprerë për më shumë se gjashtë orë, ndërsa automjetet janë orientuar në rrugë alternative. Qarkullimi është normalizuar sot në mëngjes rreth orës 05:00.
The post Detaje nga aksidenti në qarkoren Radishan-Prishtinë-Mirkovcë! Arrestohet shoferi i kamionit appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



