Aida Cinaj, 17-vjeçarja shqiptare që u shpall “World Top Model Italia 2025”

Një tjetër emër shqiptar po shkëlqen në skenën ndërkombëtare të modës. Aida Cinaj, vetëm 17 vjeçe dhe 1.78 cm e gjatë, është kurorëzuar fituese e World Top Model Italia 2025, një kompeticion prestigjioz që konsiderohet trampolina e modeleve drejt pasarelave më të rëndësishme të botës. Spektakli i madh në Puglia Itali Finalja e madhe u […]

Aida Cinaj, 17-vjeçarja shqiptare që u shpall “World Top Model Italia 2025”

Një tjetër emër shqiptar po shkëlqen në skenën ndërkombëtare të modës. Aida Cinaj, vetëm 17 vjeçe dhe 1.78 cm e gjatë, është kurorëzuar fituese e World Top Model Italia 2025, një kompeticion prestigjioz që konsiderohet trampolina e modeleve drejt pasarelave më të rëndësishme të botës.

Spektakli i madh në Puglia Itali

Finalja e madhe u zhvillua në The Village Salento, Torre dell’Orso, ku pas 22 seleksioneve paraprake u përzgjodhën 100 vajzat më të mira nga e gjithë Italia. Në fund, juria shpalli si fituese Aida Cinajn, e cila spikati me elegancën, karizmën dhe vetëbesimin e saj.

Eventi nuk ishte vetëm një garë bukurie, por një spektakël që ndërthurte modën me kulturën. Pjesë e programit ishin performanca artistike, muzikë dhe vallja tradicionale pizzica, duke e kthyer finalen në një festë të bukurisë dhe traditës.

Motoja: “Respect for Women” (Respekt për femrat)

Këtë vit, konkursi u zhvillua nën moton “Respect for Women”, një mesazh i fuqishëm që synon të promovojë respektin, fuqizimin dhe vlerësimin e grave përtej bukurisë së jashtme. Pikërisht ky vizion i jep edhe më shumë peshë fitores së Aidës, e cila tashmë shihet si një ambasadore e re e feminitetit modern.

Nga Italia drejt botës

Fitorja i siguron Aida Cinajt një vend në finalen botërore të World Top Model, që këtë vit do të zhvillohet në Kinë. Aty, ajo do të ketë mundësinë të përfaqësojë Italinë dhe njëkohësisht të afirmojë edhe origjinën e saj shqiptare në një skenë ndërkombëtare ku sytë e industrisë së modës janë të drejtuar.

Me këtë arritje, Aida Cinaj ka hedhur një hap gjigant drejt një karriere të madhe, duke u bërë shembull frymëzues për të rinjtë shqiptarë që ëndërrojnë suksesin global.