Aksident i rëndë me tre makina në Bazenheid, një person dërgohet me helikopter në spital

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të martën, pak pas orës 11:45, në autostradën H16 në Bazenheid, në kantonin St. Gallen, ku u përfshinë tri automjete, transmeton albinfo.ch.
Sipas Policisë Kantonale të St. Gallenit, një 58-vjeçare ishte duke drejtuar automjetin e saj në drejtim të Bütschwil. Pas saj po udhëtonte një 77-vjeçar, ndërsa nga drejtimi i kundërt po vinte një 47-vjeçar.
Për shkaqe që ende nuk janë bërë të qarta, në zonën pas kryqëzimit të Brääggut ndodhi fillimisht një përplasje anësore mes automjetit të 58-vjeçares dhe atij të 47-vjeçarit.
Pas përplasjes, automjeti i 47-vjeçarit u përplas ballë për ballë me makinën e drejtuar nga 77-vjeçari.
Një pasagjer u plagos rëndë
Si pasojë e aksidentit, shoferja 58-vjeçare dhe dy drejtuesit meshkuj, 47 dhe 77 vjeç, pësuan lëndime të lehta. Ata u trajtuan fillimisht në vendin e ngjarjes nga ekipet e emergjencës dhe më pas u transportuan në spital.
Një pasagjer 46-vjeçar, i cili ndodhej në automjetin e 47-vjeçarit, pësoi lëndime të rënda. Për shkak të gjendjes së tij, ai u transportua me helikopter nga shërbimi i shpëtimit ajror Rega.
Rruga u mbyll për hetimet
Pas aksidentit, segmenti i autostradës H16 mes kryqëzimit të Brääggut dhe Lütisburgut u mbyll përkohësisht për të mundësuar hetimin e rrethanave të aksidentit. Zjarrfikësit vendosën një rrugë alternative për qarkullimin.
Në vendngjarje u angazhuan disa patrulla të Policisë Kantonale të St. Gallenit, tri ambulanca, një mjek urgjence dhe një drejtues operacionesh, ekipet e Regas, si dhe brigada lokale e zjarrfikësve me 18 pjesëtarë./Albinfo.ch
The post Aksident i rëndë me tre makina në Bazenheid, një person dërgohet me helikopter në spital appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



