Aksion policor në një lokal në Tetovë, pronarit i gjenden 15 paketime me lëndë të bardhë pluhur

Policia ka zhvilluar sot një aksion kontrolli në një objekt hotelierik në Qendrën Tregtare të Qytetit në Tetovë, ku te dy persona është gjetur një substancë e bardhë në formë pluhuri, përcjell tetova1
Në aksion kanë marrë pjesë zyrtarë policorë nga Sektori për Punë Kriminalistike pranë SPB Tetovë dhe ekipi mobil “Task Force”, në koordinim me përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike.
Brenda lokalit është gjetur pronari J.T. (54) nga fshati Trebosh. Gjatë kontrollit personal, atij i janë gjetur 15 paketime me një substancë të bardhë në formë pluhuri, pas së cilës është privuar nga liria.
Para lokalit, policia ka hasur edhe M.R. (48) nga Tetova. Gjatë kontrollit të tij, gjithashtu është gjetur një substancë e bardhë në formë pluhuri, për çka edhe ai është privuar nga liria.
Të dy personat janë mbajtur në stacion policor.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj të dy personave do të pasojnë kallëzime përkatëse.
Ndërkohë, mbetet të përcaktohet se për çfarë lënde bëhet fjalë konkretisht.
Aksioni në lokalin në Tetovë është realizuar në koordinim mes policisë, Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



