Alarm në futbollin zviceran: Talentet vendase po marrin gjithnjë e më pak minuta

Alarm në futbollin zviceran: Talentet vendase po marrin gjithnjë e më pak minuta

Kombëtarja e Zvicrës ka shënuar rezultate të rëndësishme në vitet e fundit, por pas sukseseve të ekipit të parë po shfaqet një problem që mund të ndikojë në të ardhmen e futbollit zviceran: të rinjtë vendas po marrin gjithnjë e më pak minuta në ligat profesioniste të vendit.

Federata Zvicerane e Futbollit kishte ngritur alarmin që dy vjet më parë. Presidenti aktual i federatës, Peter Knäbel, kishte paralajmëruar në vitin 2024 se nëse minutazhi i futbollistëve të rinj zviceranë vazhdon të mbetet në nivele të ulëta, pasojat mund të ndihen brenda disa vitesh edhe te Kombëtarja A, shkruan Watson, transmeton albinfo.ch.

Të dhënat e fundit tregojnë se situata nuk është përmirësuar. Në sezonin 2023/24, lojtarët zviceranë të moshës U21 ose më të rinj grumbulluan mbi 70 mijë minuta në Challenge League. Në sezonin 2025/26, kjo shifër ra në rreth 57 mijë minuta. Në Super League, minutazhi ra nga rreth 36 mijë në 35 mijë minuta.

Edhe pse mosha mesatare e futbollistëve që aktivizohen në ligat profesioniste zvicerane është ulur, kjo nuk ka ndodhur falë aktivizimit më të madh të talenteve vendase. Sipas analizës, klubet po u japin më shumë hapësirë futbollistëve të rinj të huaj.

Zvicra mbetet prapa edhe në krahasim me vende të njohura për zhvillimin e futbollistëve të rinj, si Suedia, Kroacia, Norvegjia, Polonia, Danimarka, Belgjika, Holanda dhe Çekia. Në disa prej këtyre kampionateve, talentet vendase grumbullojnë deri në tri herë më shumë minuta se të rinjtë zviceranë.

Federata ka tentuar ta ndryshojë trendin përmes stimujve financiarë për klubet që aktivizojnë lojtarë të rinj zviceranë, veçanërisht në Challenge League, por deri tani masat nuk kanë sjellë rezultatet e dëshiruara. Trajneri i Zvicrës U21, Alex Frei, këmbëngul se talentet vendase e kanë cilësinë e nevojshme për të luajtur në Super League.

Nëse situata nuk ndryshon, në Zvicër mund të diskutohet edhe për masa më të forta. Si shembull përmendet Meksika, ku klubet që nuk arrijnë një numër të caktuar minutash me talentet vendase mund të përballen me gjoba apo edhe me zbritje pikësh.

The post Alarm në futbollin zviceran: Talentet vendase po marrin gjithnjë e më pak minuta appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.