Alcazar Energy Partners njoftoi investim prej 500 milionë dollarë për parkun më të madh të erës në RMV

Alcazar Energy Partners, investitori kryesor në burimet e rinovueshme të energjisë në tregjet në zhvillim, njoftoi fillimin e investimit të parkut më të madh të erës në Maqedoninë e Veriut me kapacitet deri në 400 MW. Projekti përfaqëson një hap kyç në qëllimin e kompanisë për të zhvilluar platformën më të madhe për burimet e […]

Alcazar Energy Partners njoftoi investim prej 500 milionë dollarë për parkun më të madh të erës në RMV

Alcazar Energy Partners, investitori kryesor në burimet e rinovueshme të energjisë në tregjet në zhvillim, njoftoi fillimin e investimit të parkut më të madh të erës në Maqedoninë e Veriut me kapacitet deri në 400 MW. Projekti përfaqëson një hap kyç në qëllimin e kompanisë për të zhvilluar platformën më të madhe për burimet e rinovueshme të energjisë në Ballkanin Perëndimor, transmeton Portalb.mk.

Investimi, i cili do të kalojë shifrën prej 500 milionë dollarë amerikanë, do të jetë më i madhi në RMV, pra një nga projektet më të mëdha në Ballkanin Perëndimor. Kapaciteti i RMV-së do të rritet për pesë herë kur parqet e erës të jenë plotësisht funksionale. Mbyllja financiare e të gjithë operacionit dhe marrja e lejeve të nevojshme pritet të përfundojë në vitin 2025 dhe ndërtimi të fillojë në fillim të vitit 2026.

“Jemi shumë të lumtur që sot shënohet fillimi i realizimit të investimit të parkut më të madh të erës në Ballkanin Perëndimor. Kjo nismë do t’i sigurojë Maqedonisë së Veriut energji elektrike të pastër dhe të përballueshme shumë të nevojshme dhe do të krijojë vende pune. Alcazar Energy sheh në Maqedoninë e Veriut një potencial me lokacion të shkëlqyer për investime, duke i dhënë rëndësi kapaciteteve për gjenerimin e energjisë nga burimet e rinovueshme”, tha Daniel Calderon, bashkëthemelues dhe menaxher i përgjithshëm i Alcazar Energy.

Projekti, i pozicionuar 75 kilometra në juglindje të Shkupit, do të luajë një rol të rëndësishëm në promovimin e Platformës së Investimeve në Tranzicion të Drejtë të Maqedonisë në kuadër të COP28 dhe do të reduktojë ndjeshëm emetimet e gazrave serrë në vend. Është planifikuar të krijojë 630 vende pune dhe kur të jetë plotësisht funksional, projekti do të prodhojë energji elektrike të pastër për më shumë se 100,000 familje dhe do të reduktojë emetimet e CO2 me 670,000 ton në vit. Me më shumë se 50 turbina me erë, projekti do të kursejë 1.1 milion metra kub ujë në vit.

Për kryeministrin e vendit Hristijan Mickoskin, ky projekt është i rëndësishëm për RMV-në dhe për mbarë rajonin.

“Përpara nesh është investimi më i madh në burimet e rinovueshme të energjisë që kemi pasur ndonjëherë. Parku me erë në Maqedoninë juglindore do të rrisë për pesë herë potencialin e Maqedonisë në fushën e burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Zona ku duhet të ndërtohet parku me erë është në mes të tri komunave, Karbincit, Radovishit dhe Shtipit, ku potenciali për këtë lloj investimi është i madh”, tha Mickoski.

Ndërkohë zëvendës kryeministri i parë Izet Mexhiti tha se bëhet fjalë për investim në vlerë prej rreth 450 milion euro që e bën Maqedoninë e Veriut vend të pavarur energjetik.

“Ky investim parashesh instalimin e 55 turbinave me erë, me ç’rast rreth 20% e energjisë elektrike në vend do të sigurohet përmes prodhimit natyror të energjisë elektrike, ose prodhim të energjisë elektrike prej 1 teravat në orë ose 1.000 megavat në orë”, shkroi Mexhiti në Facebook.

Ky projekt Alcazar Energy është i dyti më i madh pas përpjekjeve për të ndërtuar kapacitetin më të madh të platformës së energjisë së rinovueshme në Ballkanin Perëndimor. Investimi total në Ballkanin Perëndimor duhet të kalojë vlerën e 1 miliardë dollarëve amerikanë. Ky investim jo vetëm që do të kontribuojë në rritjen e potencialit për prodhimin e energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut, por gjithashtu do të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin e sektorit të energjisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Për shkak të lidhjeve të mira të rrjetit të Maqedonisë me Greqinë, Bullgarinë, Serbinë dhe Kosovën, ky projekt do të kontribuojë në reduktimin e mungesës së energjisë elektrike dhe do të mbështesë tranzicionin drejt energjisë së rinovueshme në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore.

Alcazar Energy është një fond udhëheqës i pavarur i qëndrueshëm me bazë në Luksemburg dhe një ekip këshilltarësh me qendër në Dubai, i fokusuar në projekte të energjisë së rinovueshme në shkallë të gjerë në tregjet në zhvillim.

Projekti i parë më i madh i kësaj natyre është ai i kompanisë gjermane WPD, e cila do të ndërtojë një elektranë me turbinë ere prej 415 megavat në drejtimin Kumanovë – Nagoriçani i Vjetër– Kriva Pallankë në vlerë prej rreth 500 milion euro. Ky invetim gjerman konsiderohet më i madhi në Maqedoninë e Veriut dhe investimi i parë më i madh në segmentin e energjisë së gjelbër të vendit që nga pavarësia e tij në vitin 1991.

Punimet e ndërtimit janë planifikuar të fillojnë këtë vit dhe pritet të përfundojnë brenda gjashtë viteve.

LEXO: Investimi më i madh gjerman në Maqedoni – elektrana me turbinë ere