Revizioni: Autostradat Bechtel-Enka po devijojnë nga dinamika e planifikuar e ndërtimit

Për ndërtimin e Korridorit 8 infrastrukturor dhe Korridorit 10d, me gjatësi 108 km dhe vlerë të parashikuar prej 1,319 miliardë euro, është miratuar një ligj i veçantë që rregullon kushtet dhe mënyrën e ndërtimit. Deri në dhjetor 2023, vetëm 0.12 për qind e kostove kanë të bëjnë me ndërtimin, gjë që tregon një devijim nga […]

Revizioni: Autostradat Bechtel-Enka po devijojnë nga dinamika e planifikuar e ndërtimit

Për ndërtimin e Korridorit 8 infrastrukturor dhe Korridorit 10d, me gjatësi 108 km dhe vlerë të parashikuar prej 1,319 miliardë euro, është miratuar një ligj i veçantë që rregullon kushtet dhe mënyrën e ndërtimit. Deri në dhjetor 2023, vetëm 0.12 për qind e kostove kanë të bëjnë me ndërtimin, gjë që tregon një devijim nga dinamika e planifikuar e ndërtimit. Këtë e theksojnë revizorët shtetërorë në raportin e fundit të publikuar “Realizimi i investimeve kapitale të financuara nga buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, fondet e BE-së dhe fondet nga institucionet e tjera financiare ndërkombëtare nën juridiksionin e pushtetit qendror dhe vetëqeverisjes lokale”, transmeton Portalb.mk.

“Me një analizë krahasuese të kostos së ndërtimit të Korridorit 8 dhe 10d me auditim, u konstatua se në planin pesëvjeçar të Komunitetit të Transportit nga prilli 2022, vlera treguese e deklaruar për seksionet e planifikuara është 585 milionë euro ose 475 milionë euro pa seksionin Bukojçan-Kërçovë. Sistemi i menaxhimit të investimeve publike nuk është krijuar, dhe procesi i planifikimit, prioritizimit dhe alokimit të fondeve në buxhetin e investimeve publike nuk është përcaktuar në mënyrë adekuate me Ligjin aktual për Buxhetet në mënyrë që të alokohen fondet publike për investime me prioritet më të lartë”, thuhet në raport.

Gjithashtu, projektet për ndërtimin e Korridorit VIII të infrastrukturës hekurudhore në lindje të fazës 1 dhe 2 kanë filluar në vitin 1996 dhe nuk kanë përfunduar.

“Vlera e këtyre projekteve është rritur dhe janë paguar komisione për mjetet e patërhequra në shumën prej 4.6 milionë euro, për shkak të kushteve të paplotësuara për efektivitetin e kredisë në një periudhë shtatëvjeçare, gjë që tregon për menaxhim jo efektiv të këtyre projekteve strategjike”, shtohet në raport.

Për projektin për ndërtimin e autostradës 2 rruga Kërçovë-Ohër, vlera e kontratës së ndërtimit me aneks është vlerësuar në 589 milionë euro, ndërsa vlera fillestare është 411 milionë euro.

“Projekti nuk ka përfunduar as pas 10 vitesh dhe realizimi financiar arrin në 466.4 milionë euro. Afati i përfundimit të projektit ka kaluar në datën 31.12.2023 dhe ka pasiguri të madhe nga shfaqja e rreziqeve të larta juridike dhe financiare lidhur me ecurinë e këtij projekti”, thuhet në dokument.

Auditorët kanë monitoruar edhe projektet kapitale në fushën e shëndetësisë. Kështu, ata kanë konstatuar se ndërtimi i Qendrës Klinike në Shkup dhe ndërtimi i Spitalit Rajonal të Shtipit janë anuluar për shkak të marrëveshjeve të ndërprera të kredisë dhe kontratave të ndërtimit.

“Për shkak të anulimit të këtyre projekteve për të cilat janë lidhur kontrata në shkurt 2016 për ndërtimin e Spitalit Rajonal në Shtip dhe në maj 2017 për ndërtimin e Qendrës Klinike në Shkup, ka rreziqe të larta fiskale për financat publike. Për shkak të ndërprerjes së kontratës për ndërtimin e Qendrës Klinike Shkup dhe anulimit të projektit gjatë vitit 2022 dhe 2023, është iniciuar arbitrazhi me pretendime në vlerë prej 23,5 milionë euro nga konsorciumi i kontraktorëve, dhe për shkak të ndërprerjes së Kontratës për ndërtimin e Spitalit Rajonal në “Shtip, projekt me rëndësi të madhe për qytetarët, në janar të vitit 2024 arbitrazhi është iniciuar nga kontraktori me pretendime në vlerë prej 22 milionë euro”, kanë thënë auditorët.

Auditorët kanë shqyrtuar edhe projektin për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza të Qytetit të Shkupit, i cili është investimi më i madh në sferën e mjedisit jetësor, për të cilin janë siguruar mjete në vlerë prej 196 milionë euro nga shteti dhe fonde të BE-së në shumën 69,7 milionë euro.

“Edhe pse janë siguruar mjete për këtë projekt, përgatitja e këtij projekti ka filluar në vitin 2007, ndërsa në vitin 2014 është përmirësuar dhe përditësuar studimi i fizibilitetit për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në qytetin e Shkupit, por edhe pas dhjetë vitesh projekti nuk është gati për realizim fizik. Menaxhimi i këtij projekti strategjik nuk është efikas, qëllimi për zbatimin e detyrimeve ligjore dhe arritjen e standardeve nuk është arritur”, thuhet në raport.

Kujtojmë se Enti Shtetëror për Revizion publikoi të dhëna shqetësuese edhe lidhur me efektivitetin e masave të marra nga autoritetet kompetente për mbrojtjen e sistemeve kritike të informacionit. Revizioni konstatoi se institucionet dhe organet nuk ofrojnë mbrojtje efikase dhe të plotë të sistemeve kritike të informacionit.

LEXO: RMV, nëse do të ndodhte sulm kibernetik, gati 70 përqind e institucioneve nuk kanë ekip për reagim ndaj incidentit