Ambasada e SHBA-së paralajmëron shtetasit amerikanë: Të mërkurën mund të ketë demonstrata të mëdha, bëni kujdes

Ambasada e SHBA-së paralajmëron shtetasit amerikanë: Të mërkurën mund të ketë demonstrata të mëdha, bëni kujdes

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka paralajmëruar demonstrata të mëdha të mërkurën më 16 shtator, kur Gjykata Speciale do ta shpallë aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Sipas ambasadës amerikane, demonstrata mund të ketë në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera të mëdha në Kosovë.

“Disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha për të mërkurën, më 16 shtator, në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera të mëdha në Kosovë. Këto demonstrata mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha njerëzish, mbyllje të rrugëve dhe pengesa të mëdha në trafik. Këshillohet që udhëtimet të kufizohen në zonën përreth vendbanimit tuaj dhe të shmangni udhëtimin drejt vendit të punës dhe shkollave nëse rruga juaj kalon nëpër zona të prekura, pasi mund të mos jeni në gjendje ta përfundoni udhëtimin në kohën e duhur. Personeli i qeverisë së SHBA-së është këshilluar t’i shmangë të gjitha udhëtimet e panevojshme në afërsi të demonstratave dhe të mos i dërgojë fëmijët në shkollë më 16 shtator për shkak të mundësisë së pengesave në trafik. Ambasada e SHBA-së do të jetë e hapur dhe shërbime të kufizuara konsullore do të ofrohen sipas nevojës”, thuhet në paralajmërim.

Ambasada këshillon shtetasit e saj që t’i shmangin zonat ku zhvillohen demonstratat e të tregojnë kujdes nëse papritur ndodhen në afërsi të demonstratave.

Ambasada ka publikuar edhe numrat e kontaktit për shtetasit amerikanë në rast nevoje.

Trupi Gjykues i Gjykatës Speciale në Hagë e ka caktuar 16 shtatorin si datën për ta shpallur aktgjykimin në rastin e katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, nën akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.