Analiza e BBC: E ardhmja e Krimesë përballë negociatave të paqes

Krimea është një gadishull në Detin e Zi i cili u aneksua ilegalisht nga Rusia në vitin 2014, tetë vjet para se Moska të niste pushtimin e saj në shkallë të plotë. Udhëheqësi rus Vladimir Putin më vonë pranoi se kishte thurur planin për të marrë territore, në një takim me zyrtarët e tij, disa [...]Read More...

Analiza e BBC: E ardhmja e Krimesë përballë negociatave të paqes

Krimea është një gadishull në Detin e Zi i cili u aneksua ilegalisht nga Rusia në vitin 2014, tetë vjet para se Moska të niste pushtimin e saj në shkallë të plotë.

Udhëheqësi rus Vladimir Putin më vonë pranoi se kishte thurur planin për të marrë territore, në një takim me zyrtarët e tij, disa ditë pasi udhëheqësi pro-rus i Ukrainës, Viktor Janukoviç, u rrëzua nga pushteti në Kiev .

Në vitin 1991, së bashku me pjesën tjetër të Ukrainës, Krimea votoi për pavarësi nga Bashkimi Sovjetik që po shpërbëhej.

Por për arsye historike dhe bashkëkohore politike, rusët e kanë përshkruar prej kohësh Krimenë si pjesë të territorit të tyre, një pretendim i diskutueshëm që Putini e ka përsëritur shpesh dhe që është hedhur poshtë nga shumica e kombeve të tjera.

Krimea konsiderohet ligjërisht si pjesë e Ukrainës, pavarësisht sekuestrimit të saj të paligjshëm nga Kremlini, shkruan BBC.

Pasi e aneksoi, Rusia organizoi një referendum në mars të vitit 2014. Rezultati, në të cilin banorët e Krimesë me sa duket votuan për t’u bashkuar me Rusinë, u hodh poshtë si një mashtrim nga bashkësia ndërkombëtare.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka qenë i vendosur të thotë se nuk ka fuqi të heqë dorë nga Krimea dhe ka hedhur poshtë vazhdimisht çdo sugjerim se vendi i tij duhet të heqë dorë nga pretendimi i tij ndaj saj.

“Nuk ka asgjë për të folur këtu,” tha Zelensky në prill të këtij viti. “Kjo është kundër kushtetutës sonë.”

Neni dy i kushtetutës së Ukrainës thotë se sovraniteti i saj “shtrihet në të gjithë territorin e saj” i cili “brenda kufirit të saj aktual është i pandashëm dhe i paprekshëm. Çdo ndryshim në territorin e Ukrainës duhet të kalojë në një referendum kombëtar, i cili duhet të autorizohet nga parlamenti ukrainas, thotë më tej BBC.

Tashmë këtë të hënë sytë janë kthyer nga Shtëpia e Bardhë, ku do të mbahet takimi mes presidentit Trump dhe Zelenskyt. Në takim do të jenë edhe liderë të BE. Këto bisedime vijnë pas Samitit SHBA Rusi që u mbajt në Alaska disa ditë më parë. Por në deklaratat e fundit presidenti amerikan ka lënë të kuptohet se anëtarësimi në NATO është jashtë diskutimit për Ukrainën.

Presidenti Donald Trump nuk mund të kishte qenë më i qartë në postimin e tij në rrjetet sociale, duke e përjashtuar atë me “shkronja të mëdha”, sikur për të theksuar këtë pikë.

Ajo që po ofrohet në vend të kësaj është një lloj garancie sigurie e mbështetur nga SHBA-ja, e cila do të përsëriste efektet e mbrojtjes kolektive të Nenit 5 të NATO-s, pa e pranuar në fakt Ukrainën në aleancë.