Anila Berberi nga Italia: Ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë kërkon më shumë mbështetje institucionale

Ruajtja e gjuhës shqipe dhe përcjellja e identitetit kulturor te brezat e rinj ishin në qendër të seminarit “Jepi zë gjuhës shqipe dhe identitetit”, i cili u mbajt më 18 tetor në Parma të Italisë, në kuadër të Muajit të Kulturës Shqiptare 2026, përcjell albinfo.ch.
Aktiviteti u organizua nga Anila Berberi, koordinatore e Shkollës Shqipe “Scanderbeg Parma” dhe kryetare e Lidhjes së Shkollave të Gjuhës Shqipe në Itali, në bashkëpunim me shoqatën “Scanderbeg Parma”.
Në fjalën e saj, Berberi vuri në pah rëndësinë e gjuhës amtare në formimin e identitetit të fëmijëve shqiptarë që rriten jashtë vendit, duke theksuar se ruajtja e saj kërkon angazhim të vazhdueshëm nga familjet, mësuesit dhe institucionet.
Sipas saj, një nga sfidat kryesore është përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies, përmes përgatitjes profesionale të mësuesve dhe përdorimit të metodave bashkëkohore të mësimit.
Berberi theksoi se suksesi i shkollave shqipe nuk duhet të matet vetëm me numrin e orëve mësimore apo të aktiviteteve të organizuara, por edhe me njohuritë që fëmijët përvetësojnë dhe aftësinë e tyre për ta përdorur gjuhën shqipe në jetën e përditshme.
Një tjetër çështje e ngritur gjatë seminarit ishte nevoja për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shqiptare dhe italiane, me qëllim krijimin e mundësive që gjuha shqipe të mësohet edhe brenda sistemit shkollor italian, përmes marrëveshjeve dhe projekteve të përbashkëta.
Berberi vlerësoi mbështetjen e institucioneve shqiptare, veçanërisht të Ministrisë së Arsimit, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, përfaqësive diplomatike dhe Qendrës së Botimeve për Diasporën.
Në seminar morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve vendore italiane, përfshirë presidentin e Këshillit Bashkiak të Parmës, Michele Alinovi, dhe përfaqësuesen e Zyrës për Mundësi të Barabarta, Fabrizia Dalco. Konsullata Shqiptare në Milano u përfaqësua nga Luljeta Çobanaj.
Në diskutime u theksua se shkollat shqipe në diasporë kanë një rol të rëndësishëm jo vetëm në mësimin e gjuhës amtare, por edhe në forcimin e lidhjeve të fëmijëve me kulturën dhe prejardhjen e tyre.
Përmes këtyre nismave, Lidhja e Shkollave të Gjuhës Shqipe në Itali synon të zgjerojë bashkëpunimin ndërmjet shkollave, mësuesve dhe institucioneve, duke krijuar mundësi më të qëndrueshme për mësimin e shqipes nga brezat e rinj./Albinfo.ch
The post Anila Berberi nga Italia: Ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë kërkon më shumë mbështetje institucionale appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



