Ansambli “Trojet” nga Winterthuri fiton çmimin e festivalit “Diaspora jehon”

Ansambli “Trojet” nga Winterthuri fiton çmimin e festivalit “Diaspora jehon”

“Ansambli i Këngëve dhe Valleve “TROJET” nga Winterthuri është vlerësuar me Çmimin e Festivalit, çmimin më të lartë të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Diaspora Jehon”, Edicioni II, të mbajtur më 5 dhe 6 shtator 2026 në Renens të Zvicrës”. Kjo bëhet e ditur në një njoftim të publikuar në faqen e ansamblit, në fb.

Juria profesionale vlerësoi , interpretimin e tri moshave të ansamblit “TROJET” për konceptin dhe dramaturgjinë artistike, lidhshmërinë skenike, interpretimin, kostumografinë dhe mënyrën se si elementet e trashëgimisë shqiptare u ndërthurën në një rrëfim të vetëm skenik.

Nën moton “Nga Kelmendi në Dardani”, paraqitja nisi me tingullin e lahutës dhe figurën e plakut, vazhdoi me këngën me çifteli, këngën e grave dhe ritmin e tepsisë, larminë e kostumeve tradicionale dhe u përmbyll me vallen dardane. Një rrugëtim artistik që solli në skenë traditën, krahinat dhe shpirtin shqiptar në një tërësi të lidhur artistikisht.

Nga juria e festivalit, Ansambli “TROJET” u nderua me tri çmime:

Çmimi i Festivalit – Ansambli “TROJET” -Valltari më i mirë – Betim Hajrizi – -Kostumografia më e mirë

Kurorëzimi me Çmimin e Festivalit është një vlerësim i veçantë për gjithë punën artistike, disiplinën dhe përkushtimin e valltarëve, artistëve, udhëheqjes artistike dhe të gjithë atyre që qëndrojnë pas “TROJET”.

Ky sukses sjell edhe një tjetër mundësi të rëndësishme. Si fitues i Çmimit të Festivalit, Ansambli “TROJET” është ftuar të marrë pjesë në Festivalin “Hasi Jehon”, që do të mbahet më 2, 3 dhe 4 maj 2027 në Gjonaj, thuhet veç tjerash, në njoftim.

The post Ansambli “Trojet” nga Winterthuri fiton çmimin e festivalit “Diaspora jehon” appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.