Arrestohet ish-kreu i FFM-së, Muhamet Sejdini, dyshohet për keqpërdorim të rreth 700 mijë eurove

Në orët e para të mëngjesit të sotëm është arrestuar ish-kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muhamet Sejdini, nën dyshimet për keqpërdorim të mjeteve financiare në vlerë prej rreth 700 mijë euro, raporton TV Star.
Sipas informacioneve fillestare, mjetet në fjalë dyshohet se janë siguruar nga UEFA dhe kanë qenë të destinuara për zhvillimin e futbollit. Organet e hetuesisë po shqyrtojnë mënyrën e menaxhimit dhe shfrytëzimit të tyre.
Dyshimet lidhen me fonde të parapara për ndërtimin e një tribune në Ohër, për të cilat ekziston indikacion se mund të jenë shpenzuar në mënyrë të kundërligjshme.
Aksioni është realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Prokurorinë Publike.
Jozyrtarisht mësohet se drejtuesit e rinj të FFM-së, pas marrjes së detyrës, kanë evidentuar parregullsi dhe dyshime për keqpërdorime, duke dorëzuar kallëzime pranë institucioneve kompetente.
Organet hetimore po punojnë për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa priten informacione shtesë nga institucionet zyrtare.
Ky nuk është rasti i parë që emri i Sejdinit përfshihet në procedura hetimore. Pas ndryshimeve politike, ai ishte përballur edhe me një akuzë tjetër, e cila deri më tani nuk ka marrë epilog gjyqësor.(INA)
Burimi i lajmit:ina-online.netShënim: Ky material është marrë nga burime publike në internet dhe është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.Portali nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen origjinale të publikuar nga burimi. Nëse keni ankesa apo kërkesa për heqje materiali, ju lutem na kontaktoni në facebook/KosovaToday Faleminderit për mirëkuptimin.



