Aurela Gaçe për albinfo.ch: Në janar 2027 mes shqiptarëve në Zvicër

Aurela Gaçe, një nga zërat më të fuqishëm dhe më të veçantë të muzikës shqiptare, rikthehet para publikut shqiptar në Zvicër në janar të vitit 2027. Artistja do të mbajë dy koncerte: më 15 janar në Gjenevë dhe më 16 janar 2027 në Cyrih, duke sjellë para publikut atë që e ka karakterizuar gjatë gjithë karrierës së saj – performancën tërësisht live, me bandë të plotë dhe energjinë e saj të jashtëzakonshme skenike.
Takimi me publikun shqiptar në Zvicër vjen pas një periudhe intensive për këngëtaren. Vetëm gjatë vitit të kaluar ajo realizoi një film që u shfaq për një kohë të gjatë në kinema, solli “AG Show” në Top Channel, publikoi këngë të reja, ndërsa së shpejti pritet të vijë edhe me një album të ri muzikor.
Për Aurela Gaçen, koncertet e janarit në Zvicër kanë një domethënie të veçantë. Ftesat për të performuar para shqiptarëve këtu nuk kanë munguar, por formati i saj – gjithmonë live dhe me bandë të plotë – ka bërë që një koncert i tillë të kërkojë organizim dhe kushte të veçanta.
Këtë herë, publiku në Gjenevë dhe Cyrih do ta ketë mundësinë ta përjetojë Aurelën pikërisht ashtu siç ajo dëshiron të paraqitet para publikut: live, pa kompromise dhe me gjithë emocionin e skenës.
Në prag të dy koncerteve, Aurela Gaçe flet për albinfo.ch për rikthimin në Zvicër, marrëdhënien e saj me diasporën, rrugëtimin shumëvjeçar në muzikë, familjen, suksesin dhe çmimin e të qenit vetvetja.
albinfo.ch: Ju nuk jeni larguar kurrë nga skena, aktive në çdo kohë. Mbas një periudhe shumë të ngarkuar, ku vetëm vitin e kaluar realizuat një film që u shfaq për kohë të gjatë në kinema, gjithashtu mbas realizimit të AG SHOW në Top Channel, disa singles, së shpejti me një album të ri muzikor, ndërkohë ju do të jeni mes shqiptarëve në Zvicër në janar.
Aurela Gaçe: Ftesat për të qenë mes shqiptarëve në Zvicër kanë qenë herë pas here. Pengesa ka qenë se performancat e mia janë vetëm live dhe vetëm me bandë të plotë. Një format të cilin e kam më se të zakonshëm në çdo performancë në Shqipëri dhe kudo ku kam marrë ftesa: USA, Kanada, Itali, Greqi e kudo ku ka shqiptarë.
Është e vetmja mënyrë me të cilën paraqitem në publik dhe kjo sigurisht ka shumë kosto. Kjo ka qenë pengesë për të ardhur. Por ja që më në fund do t’u jap artdashësve atë që jap kudo: live dhe në mënyrën më profesionale të mundshme.
Besoj se secili që paguan një biletë meriton të marrë realisht shpirtin e artistit live. Ta prekë shpirtin e tij dhe të përjetojë momente emocionesh të bukura e të forta.
albinfo.ch: A ka ndonjë kujtim nga koncertet apo vizitat tuaja të mëparshme në Zvicër që ju ka mbetur veçanërisht në zemër?
Aurela Gaçe: E vërteta është se Zvicrën e kam vizituar shumë herët, kur akoma nuk e kisha ndërtuar mirë karrierën, shumë e re.
Kujtoj dashamirësi shumë të madhe dhe sigurisht kam mësuar shumë duke u përballur edhe me skena që të kalisin, të stërvitin.
albinfo.ch: Për shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, muzika është një urë me atdheun. Çfarë do të thotë për ju të jeni pjesë e kësaj lidhjeje?
Aurela Gaçe: Po, pikërisht këtë po thosha edhe më lart. Nga shqiptarët e diasporës, unë dhe shumë artistë kemi mësuar si ta duam më shumë muzikën shqiptare, rrënjën tonë, traditën. E them këtë sepse në Shqipëri, sidomos kur sapo u hapën kufijtë, ishte tendenca që të përqafohej muzika e huaj. Ndoshta ngaqë kishte qenë e ndaluar.
Por, pasi filluan koncertet jashtë vendit, të gjithë artistët u përballën me atdhedashurinë, me të qenit krenarë për atë që kemi dhe që jemi.
Në shumë këngë të miat ka patjetër ngjyra të muzikës së Jugut, Polifonisë Labe. Kam në albumet e mia të gërshetuar edhe muzikën epike e plot ngjyra të Veriut, duke i përdorur në muzikën moderne. Këtë sigurisht e kam bërë qëllimisht, duke dashur t’u hyj në vesh të rinjve, fëmijëve.
$
albinfo.ch: Pas kaq shumë vitesh në skenë, çfarë arrin ende t’ju emocionojë, t’ju sfidojë apo edhe t’ju surprizojë si artiste?
Aurela Gaçe: Për mua çdo koncert është si një provim. Sa më shumë kohë kalon, aq më shumë rritet përgjegjësia. ër shembull, sfidë ndiej kur përballem me një publik që s’më ka parë kurrë live. Filloj të vë në punë gjithë intuitën time. Dua me patjetër t’i bëj që të ndiejnë atë që unë ndiej kur këndoj.
Por sfidë është edhe me publikun që më njeh mirë, sepse ata e dinë mirë çfarë presin dhe unë nuk dua kurrë t’i zhgënjej.
Pra, gjithmonë në provim.
Surprizohem shumë kur ka të rinj që dinë dhe këndojnë këngët që nuk i përkasin brezit të tyre.
Fatmirësisht po këndoj për ta, por pa harruar që e nisa me prindërit e tyre. Sigurisht emocionohem shumë kur i kam të dy brezat aty.
albinfo.ch: Publiku ju njeh për energjinë dhe spontanitetin tuaj të jashtëzakonshëm. Sa nga Aurela që shohim në skenë është performuesja dhe sa është gruaja pas artistes?
Aurela Gaçe: Unë jam libër i hapur. Ajo që sheh në skenë, ajo jam në jetë. Por, mos u keqkuptoni. Njerëzit më shohin në skenë shumë energjike dhe mendojnë se unë ashtu sillem edhe në shtëpi. Jo. Mesa duket, njeriu e gjen vetë balancën. Është e pamundur të jesh 24 orë ashtu.
Në shtëpi jam njeri normal. Kryej punët e shtëpisë, çoj vajzat në kurse, i çojmë e i marrim vetë nga shkolla bashkë me bashkëshortin, merrem me dëshirat e tyre, gatuaj – jo çdo ditë, sepse është e pamundur me profesionin që kam – por bëj çmos të jem njeri, pastaj të kem një profesion.
Dua që vajzat e mia të shohin shembullin para syve të tyre, qoftë në përkushtimin familjar, qoftë në profesion.
albinfo.ch: A ka ndryshuar me kalimin e viteve mënyra se si e përjetoni suksesin, skenën dhe marrëdhënien me publikun?
Aurela Gaçe: Unë nuk kënaqem asnjëherë. Ose, më saktë, nëse e kam një sukses në një moment, kjo më bën të punoj e të kërkoj më shumë tek vetja.
Mendoj se kur arrin diçka, më e vështirë është ta mbash atë. Ndaj nuk shoh sukses. Shoh thjesht një qëllim: të arrij të prek sa më shumë zemra.
Kur ta mbyll karrierën – gjë që nuk ka për të ndodhur shpejt, dashtë Zoti – dua të më kujtojnë për gruan që punoi e luftoi fort për ëndrrat e saj.
Marrëdhënia me publikun? Sigurisht është edhe më e fortë se dikur. Në rini ti s’e kupton fare atë që të ndodh.
Më vonë ti kupton se pa dashurinë e publikut, ëndrra do të ngelte në sirtar. E për këtë jam mirënjohëse ndaj secilit që më dëgjon, më duartroket.
albinfo.ch: Kur shikoni pas në gjithë rrugëtimin tuaj, cili ka qenë çmimi më i madh që keni paguar për suksesin dhe cili ka qenë shpërblimi më i bukur?
Aurela Gaçe: Çmimi më i madh? Kam një lajtmotiv timin, të cilin e kam edhe në logon time: “TI PAGUAN NJË ÇMIM PËR TË QENË VETVETJA.”
Sigurisht, ka pasur shumë raste që jam gjykuar shumë, pikërisht se nuk kuptohesha.
Kam kaluar në shumë dallgë emocionale. Shpesh më kanë thënë: “Ndrysho që të jesh më e pëlqyer nga të gjithë”. Por ç’do të thotë kjo? Të humbasësh veten?
Nuk e kam bërë. Edhe kur tregu ka kërkuar rryma që janë në modë, unë qëllimisht kam shkuar në të kundërt. S’më pëlqen të ndjek modën, e cila ka një cikël dhe mbaron. Më pëlqen të ndjek atë që më pëlqen mua dhe me atë të trokas tek njerëzit. Nuk më ka dalë keq të ndjek besimet e mia. Çmimi i vetëm që kam paguar ka qenë puna, puna, puna. Shpërblimi? A ka më bukur se me pasionin tënd të lësh gjurmën tënde?
albinfo.ch: Nëse publiku në Zvicër do të largohej nga kjo mbrëmje vetëm me një ndjesi apo mesazh nga Aurela Gaçe, çfarë do të dëshironit të merrte me vete?
Aurela Gaçe: Ndjesi? Emmm… si thua t’ia lëmë publikut ta thotë?
Ajo që unë dua të marrin me vete është pasioni, vërtetësia me të cilën unë shpreh atë që jam e besoj.
Intervistën e realizoi: Pritë Bytyçi
The post Aurela Gaçe për albinfo.ch: Në janar 2027 mes shqiptarëve në Zvicër appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



