Sali: Autostrada Shkup–Bllacë, investim historik që afron qytetarët dhe lidh të ardhmen tonë evropiane

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, mori pjesë sot në ceremoninë që shënoi fillimin e punimeve në autostradën Shkup–Bllacë, një projekt me rëndësi strategjike për lidhjen infrastrukturore, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Në ceremoni morën pjesë kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, kryeministri Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe mysafirë të tjerë.
Në fjalën e tij, Sali theksoi se fillimi i punimeve paraqet shumë më tepër sesa një investim infrastrukturor, duke e cilësuar atë si një investim në afrimin e njerëzve, familjeve, bizneseve dhe tregjeve të të dyja vendeve.
“Duke i përuruar punimet e kësaj autostrade, po hedhim edhe gurthemelin e së ardhmes sonë të përbashkët, të integruar dhe të zhvilluar. Pas instalimit të sistemit ‘One Stop Shop’, ndërtimi i kësaj rruge do të thotë se Shkupi dhe Prishtina bëhen edhe më pranë njëra-tjetrës. Praktikisht, kështu po e bëjmë Evropën para se të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian”, theksoi Sali.
Ai nënvizoi se autostrada Shkup–Bllacë do të mundësojë qarkullim më të shpejtë dhe më të sigurt, do të lehtësojë transportin dhe do të krijojë kushte më të mira për zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal.
Sali theksoi gjithashtu se fqinjësia e mirë nuk matet vetëm me deklarata, por me projekte konkrete – me rrugë që ndërtohen, ura që lidhin, kufij që kalohen më lehtë dhe mundësi të reja që krijohen për qytetarët.
Në fund, ai shprehu bindjen se ky projekt do të hapë një etapë të re të bashkëpunimit, në të cilën ekonomitë do të jenë më të lidhura, qytetarët më pranë njëri-tjetrit dhe perspektiva e përbashkët evropiane edhe më konkrete.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



