Avokatët e akredituar: Specialja e padrejtë me Thaçin
Ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, sërish i është refuzuar kërkesa e dytë nga Gjykata Speciale për ta vizituar babain e tij, i cili është në gjendje jo të mirë shëndetësore. Thaçi kishte kërkuar përmes mbrojtjes së tij, lirimin e tij të përkohshëm për një ditë në mënyrë që t’i mundësohet kjo vizitë, por kjo u

Ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, sërish i është refuzuar kërkesa e dytë nga Gjykata Speciale për ta vizituar babain e tij, i cili është në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Thaçi kishte kërkuar përmes mbrojtjes së tij, lirimin e tij të përkohshëm për një ditë në mënyrë që t’i mundësohet kjo vizitë, por kjo u refuzua për të dytën herë nga Gjykata e Hagës.
Avokatët e akredituar të Speciales kanë kritikuar këtë vendim të Gjykatës, duke e quajtur jo të drejtë dhe vendim selektiv.
Avokati Qerkini: Thaçi e ka vërtetuar se i respekton kushtet e Gjykatës, vendimi i refuzimit është i padrejtë
Artan Qerkini, avokati i akredituar nga Dhomat e Specializuara të Hagës, vendimin e kësaj Gjykate për refuzimin të kërkesës për ta vizituar babain nga Hashim Thaci e ka cilësuar si të padrejtë.
Qerkini ka deklaruar se Thaçi e ka vërtetuar në të kaluarën që i zbaton kushtet e përcaktuara nga Gjykata për vizita humanitare.
“Jam i befasuar pse po ndodhë kjo. Duhet të kemi parasysh faktin që në dy vizitat e kaluara të Thaçit ai me përpikmëri i është përmbajtur të gjitha kufizimeve dhe s’ka pasur asnjë incident të raportuar për mos zbatimin e kushteve të përcaktuara nga Gjykata. Vendim jo i drejtë, arsyet janë humanitare”, tha Qerkini për “Front Online”.
Skënder Musa: Specialja s’po vepron drejtë me refuzimin e vizitës së Thaçit për babain e tij
Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Skënder Musa, ka folur për “Front Online” lidhur me refuzimin e kërkesës së Hashim Thaçit për t’i mundësuar vizitën e babait të tij të sëmurë në Kosovë.
Musa tha se ligjet dhe sanksionet penale parashikojnë se të paraburgosurit mund të kërkojnë leje për të vizituar anëtarët e ngushtë të familjes në rastet e sëmundjeve të rënda.
“Të paraburgosurit dhe të burgosurit në bazë të ligjit e sanksioneve penale dhe ligjet që janë për mbajtën në paraburgim së masës së sigurisë që është: në momentin që anëtarët e ngushtë të familjes janë në gjendje të rëndë shëndetësore u jepet leja se ligjet ashtu e parashohin si të drejtë humanitare për me u aprovuar. Kjo duhet të ketë dokumentacione shëndetësore të besueshme që e vërtetojnë që gjendja e të sëmurit është kritike”, tha ai.
Musa kritikoi Gjykatën, pasi sipas tij, nuk po veprojnë barabartë me të gjithë të paraburgosurit.
“Gjykata nuk po vepron drejtë se kemi të bëjmë me një moshë të shtyrë se secila sëmundje mund të ja rrezikoj jetën”, shprehet Musa.
Avokatja Bytyqi-Gashi: Refuzimi i kërkesës së Thaçit e padrejtë
Avokatja e akredituar e Gjykatës Speciale në Hagë, Fehmije Bytyqi-Gashi është deklaruar për “Front Online” lidhur me refuzimin e kërkesës për të ardhur në Kosovë, ish-presidenti Hashim Thaçi, për ta vizituar babain e tij të sëmurë.
Bytyqi-Gashi thotë se Kadri Veselit i është lejuar me ardhë në Kosovë e Thaçit jo. Kjo sipas saj, është vendim selektiv dhe i dhimbshëm.
“Derisa Kadri Vesliut ju ka lejuar me ardhë në vizitë për babain e tij nuk e kuptoj pse jo Thaçit. Kjo është e dhimbshme. E lejon edhe ligji”, deklaroi ajo.
Klinaku: Gjykata Speciale ka shkelur të drejtat themelore të njeriut
Ish-ushtruesi i detyrës së OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka deklaruar për “Front Online” se krerët e UÇK-së dhe pjesëtarët e paraburgosur në Hagë, kanë përjetuar padrejtësi të vazhdueshme.
Ai tha se Gjykata Speciale ka shkelur të drejtat themelore të njeriut, duke refuzuar lejet për vizita.
Klinaku shtoi se as Qeveria dhe as Kuvendi, nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për të mbrojtur të drejtat e të paraburgosurve.
“Vazhdimisht u është bërë padrejtësi edhe krerëve të UCK-së dhe gjithë pjesëtarëve që janë në paraburgim në Hagë se Gjykata i ka shkelë të drejtat themelore të njeriut që për familje të ngushtë është dashur të lirohen për vizita secili që e ka rastin. As qeveria as Kuvendi si themelues i kësaj Gjykate nuk bënë asgjë në drejtim të shkeljes së drejtave themelore të njeriut”, shprehet Klinaku për “Front Online”.
Vendimi thotë se mbrojtja ka parashtruar se babai i Thaçit është shtruar në spital në shkurt të 2025-ës.
“Ndërkohë që babai i tij është shpërndarë nga spitali, ai është pranuar për shërbim mjekësor [REDAKTUAR] dhe është vërejtur [REDAKTUAR] gjatë shtrimit në spital. Mbrojtja thekson se babai i Z. Thaçi ka pasur [REDAKTUAR], që është [REDAKTUAR] për shkak të moshës dhe gjendjes së tij shëndetësore të përgjithshme. Gjithashtu, mjeku i tij trajtues ka vlerësuar se [REDAKTUAR]. Z. Thaçi është i shqetësuar se gjendja e babait të tij mund të [REDAKTUAR]”, thuhet në vendim.
Sipas vendimit që njofton Betimi për Drejtësi, mbrojtja ka propozuar edhe vendin e vizitës e po ashtu se kush mund të jetë shoqërues, informata këto të cilat janë të redaktuara.
“Mbrojtja kërkon që vizita të bëhet në [REDAKTUAR] dhe të jetë e shoqëruar nga [REDAKTUAR]”, thuhet tutje në vendim.