Avokati i Macron: Brigitte është grua/ Presidenti do paraqesë prova në procesin gjyqësor në SHBA
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron do të paraqesin prova fotografike dhe shkencore në një gjykatë amerikane mbi paditë që çifti presidencial ka ngritur për shpifje ndaj komentatores së djathtë amerikane Candace Owens, e cila ka pretenduar se zonja e parë franceze ka lindur mashkull. Çifti presidencial synon të vërtetojë zyrtarisht [...]Read More...

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron do të paraqesin prova fotografike dhe shkencore në një gjykatë amerikane mbi paditë që çifti presidencial ka ngritur për shpifje ndaj komentatores së djathtë amerikane Candace Owens, e cila ka pretenduar se zonja e parë franceze ka lindur mashkull.
Çifti presidencial synon të vërtetojë zyrtarisht se zonja Macron është grua, pas pretendimeve të rreme të përhapura në internet.
Avokati i familjes Macron, Tom Clare, deklaroi në një intervistë për podcastin “Fame Under Fire” të BBC-së se Brigitte Macron është thellësisht e shqetësuar nga këto aludime, të cilat kanë sjellë shpërqendrim edhe për presidentin francez.
“Kur familja juaj është nën sulm, kjo ju dëmton. Emmanuel Macron nuk është imun ndaj kësaj, edhe pse është president i një vendi”, tha Clare.
Ai theksoi se në proces do të përfshihen edhe dëshmi ekspertësh të natyrës shkencore, megjithëse nuk dha detaje mbi llojin e tyre. “Është jashtëzakonisht e vështirë të mendosh se duhet të paraqesësh këtë lloj prove në mënyrë publike. Por zonja Macron është e vendosur ta bëjë, për të sqaruar përfundimisht këtë çështje dhe për të ndaluar spekulimet”, shtoi avokati.
Akuzat ndaj zonjës Macron nisën në vitin 2021 në YouTube nga blogeret franceze Amandine Roy dhe Natacha Rey. Familja Macron fitoi një çështje për shpifje kundër tyre në vitin 2024, por vendimi u rrëzua në apel në vitin 2025 për shkak të argumenteve mbi lirinë e shprehjes, pa u vënë në dyshim vërtetësia e fakteve. Familja Macron e ka apeluar vendimin.
Në korrik të këtij viti, çifti presidencial ngriti padi kundër Owens në SHBA, duke e akuzuar atë se “shpërfilli të gjitha provat e besueshme dhe zgjodhi të përhapte pretendime të rreme, duke u mbështetur te platforma e teoricienëve të konspiracionit dhe shpifësve të provuar”. Në një intervistë për revistën Paris Match në gusht, Emmanuel Macron e cilësoi vendimin për të ndjekur rrugën ligjore si një çështje të nderit:
“Kjo ka të bëjë me mbrojtjen e nderit tim. Sepse kjo është një absurditet. Kjo është një shpifje e qëllimshme, e bërë për të shkaktuar dëm, në shërbim të një ideologjie me lidhje të qarta me ekstremizmin e djathtë.”