Avokati që rezervoi pritjen e Edi Ramës në Detroit, refuzon postin e propozuar për Konsull në Michigan dhe kërkon dorëheqjen e Ramës

Avokati që rezervoi pritjen e Edi Ramës në Detroit, refuzon postin e propozuar për Konsull në Michigan dhe kërkon dorëheqjen e Ramës

Avokati i njohur shqiptaro-amerikan Joseph Dedvukaj, i cili në shtator 2026, hapi dyert e shtëpisë së tij në Detroit, për të pritur kryeministrin Edi Rama dhe delegacionin e tij gjatë vizitës në Michigan, ka refuzuar publikisht propozimin për t’u emëruar konsull i Shqipërisë në këtë shtet.

Ai ka shkuar më tej duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit, në një deklaratë që ka tërhequr vëmendjen e komunitetit shqiptar në SHBA dhe të medias në Shqipëri.

Dedvukaj, avokat me më shumë se 30 vite karrierë në fushën e aksidenteve rrugore dhe me një bilanc mbi 350 milionë dollarë kompensime të fituara për klientët e tij, ishte një nga figurat kryesore të pritjes së ngrohtë që iu bë Ramës në shtëpinë e familjes Dedvukaj.

Në atë kohë, ai e cilësoi darkën si “një nder dhe kujtesë të rrënjëve shqiptare”.

Vetë Rama, gjatë takimit me diasporën, kishte njoftuar hapjen e shpejtë të një konsullate shqiptare në Detroit, si përgjigje ndaj kërkesave të komunitetit të madh shqiptaro-amerikan në Michigan.

Sipas burimeve të afërta me avokatin, propozimi për postin e konsullit erdhi si vazhdim i asaj vizite dhe i premtimit për përfaqësim diplomatik më të afërt.

Por Dedvukaj e ka refuzuar kategorikisht.

Në një mesazh të dërguar mediave dhe të shpërndarë në rrjetet e diasporës, ai shpjegon se nuk mund të pranojë një detyrë, që do ta lidhte me një qeveri të cilën e sheh si të dështuar në përmbushjen e pretendiimeve të shqiptarëve, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

“Nuk mund të shërbej si përfaqësues i një qeverie që nuk dëgjon zërin e qytetarëve të saj. Protestat e fundit në Shqipëri, kërkesat e studentëve dhe të opozitës për dorëheqje nuk janë thjesht zhurmë politike; ato janë shprehje e një lodhjeje të thellë. Unë e hapa shtëpinë time me respekt për institucionin e kryeministrit dhe për diasporën, por respekti nuk do të thotë heshtje kur situata përkeqësohet,” thuhet në deklaratën e tij.

Avokati thekson se postet diplomatike, duhet të shërbejnë interesave të komunitetit dhe jo interesave partiake.

Ai kritikon vonesat në shërbimet konsullore, mungesën e transparencës dhe atë që e quan “përdorim të diasporës për qëllime politike”.

Në këtë kontekst, Dedvukaj i bën thirrje Ramës të japë dorëheqjen, duke argumentuar se vetëm një ndryshim në krye të qeverisë mund të rivendosë besimin e shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve.

Reagimet në komunitetin shqiptar të Michiganit janë të ndara.

Disa e vlerësojnë qëndrimin e Dedvukajt si shenjë të pavarësisë së diasporës, ndërsa të tjerë e shohin si një hap të ashpër ndaj një lideri që ka mbështetur hapjen e konsullatës.

Ndërkohë, nga Tirana nuk ka pasur ende një reagim zyrtar mbi refuzimin e propozimit.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur protestat në Shqipëri, vazhdojnë të kërkojnë ndryshime thelbësore. Dedvukaj, i cili ka ndërtuar karrierën e tij mbi mbrojtjen e të drejtave të individëve, duket se po e zgjeron këtë mision edhe në planin publik, duke e vendosur dinjitetin e diasporës mbi çdo ofertë institucionale.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.