BE dështon për herë të dytë në miratimin e sanksioneve të reja ndaj Rusisë
Bashkimi Evropian dështoi për të dytën ditë me radhë në miratimin e paketës së 18-të të sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa Sllovakia vazhdon të kërkojë garanci të reja lidhur me furnizimin me gaz pas vitit 2027, raportojnë diplomatë të BE-së. Sipas katër diplomatëve të BE-së, vetoja e Sllovakisë gjatë një takimi të ambasadorëve të vendeve anëtare [...]Read More...

Bashkimi Evropian dështoi për të dytën ditë me radhë në miratimin e paketës së 18-të të sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa Sllovakia vazhdon të kërkojë garanci të reja lidhur me furnizimin me gaz pas vitit 2027, raportojnë diplomatë të BE-së.
Sipas katër diplomatëve të BE-së, vetoja e Sllovakisë gjatë një takimi të ambasadorëve të vendeve anëtare ka bllokuar përkohësisht miratimin e paketës së re të sanksioneve. Dy prej diplomatëve thanë gjithashtu se edhe Malta ka pasur kundërshtime.
Qeveria sllovake, e udhëhequr nga kryeministri Robert Fico, ka deklaruar se nuk do ta miratojë paketën e re pa marrë garanci të qarta që vendi nuk do të preket nga plani paralel i BE-së për të hequr dorë nga gazi rus deri në fund të vitit 2027.
“E konsiderojmë propozimin për braktisjen e energjisë ruse si një formë sanksioni dhe për këtë arsye e lidhim atë drejtpërdrejt me paketën e 18-të të sanksioneve,” shkroi Fico në një letër drejtuar Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Fico theksoi se votimi për paketën e re të sanksioneve duhet të ndodhë vetëm pasi të jenë zgjidhur në mënyrë substanciale rreziqet lidhur me furnizimin me gaz pas vitit 2028.
Komisioni Evropian i kishte dërguar një letër Sllovakisë të martën, duke u përpjekur të bindte Bratislavën për tërheqjen e vetos, por përgjigjja e Ficos konfirmoi se nevojiten më shumë bisedime për të qartësuar angazhimet e BE-së ndaj vendit të tij.
Sllovakia vazhdon të mbështetet në gazin rus dhe shpesh ka mbajtur qëndrime pro-ruse në lidhje me luftën në Ukrainë. Sipas qeverisë sllovake, ndërprerja e menjëhershme e kontratës ekzistuese me kompaninë ruse Gazprom – e cila është e vlefshme deri në vitin 2034 – mund të shkaktonte mungesa të energjisë, rritje të çmimeve dhe pasoja financiare për shtetin.
Për dallim nga plani për fazën e largimit nga energjia ruse, që mund të miratohet me shumicë të përforcuar në BE, sanksionet kërkojnë unanimitet, duke i dhënë Sllovakisë mundësinë e bllokimit të tyre.
Paketa e 18-të e sanksioneve do të ishte përgjigje ndaj agresionit të vazhdueshëm të Rusisë në Ukrainë, pas pushtimit të vitit 2022, por për momentin ajo mbetet pezull për shkak të kundërshtimeve të brendshme brenda bllokut.