Berisha mesazh anëtarëve të PD-së për pjesëmarrje në protestën e së shtunës: Studentët po luftojnë për ne

Berisha mesazh anëtarëve të PD-së për pjesëmarrje në protestën e së shtunës: Studentët po luftojnë për ne

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka dërguar një mesazh anëtarëve të partisë, duke i ftuar të marrin pjesë në protestën kombëtare të së shtunës, në orën 12:00, në mbështetje të studentëve dhe gjimnazistëve që po protestojnë në Tiranë.

Në mesazhin e tij, Berisha e cilëson revoltën e të rinjve si “epike e frymëzuese” dhe akuzon qeverinë për dhunë ndaj protestuesve.

“Të dashur anëtarë dhe anëtare të PDSH-së! Me këtë mesazh ju përshëndes përzemërsisht dhe kërkoj nga secili prej jush që nesër, në orën 12:00, të jeni në Protestën Kombëtare të PD-së, në mbështetje të revoltës epike e frymëzuese të studentëve dhe gjimnazistëve të Tiranës, si dhe kundër dhunës shtazore të narkorregjimit të Edvin Kristaq Xhelatit ndaj tyre! Studentët po luftojnë për ne. Nesër të gjithë në protestë! Me respekt, Sali Berisha”, shkruhet në mesazhin e Berishës.

Ndërkohë, ditën e shtunë në Tiranë janë njoftuar tri protesta, të cilat do të zhvillohen në orare të ndryshme.

Sipas gazetares së Euronews, Enkelejda Mema, protesta e parë do të nisë në orën 10:00, me pedagogët që do të mblidhen jashtë oborrit të Universitetit Politeknik dhe më pas pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë.

Në orën 11:00 ose 12:00 pritet të nisë edhe protesta e studentëve të Mjekësisë, të mbështetur nga grupe të tjera studentësh, të cilët do të marshojnë drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Ndërkohë, në orën 12:00, Partia Demokratike ka njoftuar protestën e saj kombëtare, në mbështetje të studentëve. Të tria protestat janë njoftuar si paqësore.

The post Berisha mesazh anëtarëve të PD-së për pjesëmarrje në protestën e së shtunës: Studentët po luftojnë për ne appeared first on Euronews Albania.


Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.