Berisha mesazh deputetëve: Vijoni përgatitjet e kryengritjes paqësore të 8 majit

“Çdo minutë duhet t’ia kushtojmë përgatitjes së kryengritjes paqësore të 8 majit”. Është ky mesazhi që Sali Berisha u ka përcjellë deputetëve demokratë në mbledhjen e grupit.
Në fjalën e tij Berisha u kërkoi deputetëve që të dëshmojnë se nuk pranojnë Ramën dhe qeverinë e tij si të ligjshme, Ai tha se duhet të provojnë që janë zëri i ndërgjegjes së shqiptarëve dhe të ardhmes së vendit.
“Jemi në prag të 8 majit, një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për opozitën shqiptare dhe shqiptarët. Ndaj dhe njëherë në mënyrën më të vendosur u bëj thirrje që çdo minutë, çdo orë t’ia kushtojmë përgatitjes së këtij akti të kryengritjes paqësore të 8 majit, si mesazhi më i rëndësishëm që ne u përcjellim shqiptarëve në kushtet kur përpiqen me çdo mjetet t’i dekurajojnë. Përpiqen me të gjitha mjetet të mbjellin terror në grahmat e fundit. Të dëshmojmë se ne nuk pranojmë kurrë Edi Ramën, qeverinë e tij si të ligjshme, nuk ka asnjë legjitimitet për shkak të zgjedhjeve që ka rrëmbyer, për shkak të vjedhjeve me të cilat është kapur. Dhe, të provojmë se ne jemi zëri i ndërgjegjes së shqiptarëve dhe jemi forca kryesore integruese, forca kryesore që punojmë për të ardhmen e këtij vendi” apeloi Berisha.
Burimi i lajmit: opinion.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



