Berisha njofton tjetër protestë të opozitës më 22 Mars

Në daljen e tij përpara protestuesve, kreu i PD Sali Berisha ka njoftuar edhe datën e mbajtjes së protestës së radhës, që do të jetë më 22 Mars. “Me 22 mars, e gjithë Shqipëria në Tiranë.
E gjithë Tirana në rrugë. Të vazhdojmë kryengritjen tonë paqësore gjer në fitoren përfundimtare. Fitore, fitore, fitore”, u shpreh Berisha.
Protesta e kësaj të enjteje u mbajt përpara parlamentit, ku me votat e mazhorancës u rrëzua kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.
“ Edi Rama mendon se mbylli dosjen e tij duke votuar kundër heqjes së imunitetit.Por dosja e tij nuk mbyllet kurrë dhe do ta ketë si gur varri, edhe pas vdekjes në varrin e tij do i vendoset, hajdut, këtu prehet një kryehajdut do shkruhet për të. Ndaj dhe le të vazhdojmë ne kryengritjen tonë paqësore.
Kjo është pranvera jonë. Kjo është pranvera në të cilën ne duhet të fitojmë, do të fitojmë. Kjo është pranvera në të cilën ne do i rikthejmë shpresën e madhe Shqipërisë. Do rivendosim Shqipërinë në rrugën e dinjitetit, në rrugën e integrimit, në rrugën e lirisë. Ju falënderoj me shumë mirënjohje për ardhjen tuaj sot”, tha ndër të tjera Berisha.



