Bisedimet në Gjenevë mes Iranit dhe fuqive perëndimore përfundojnë ‘pa sukses’
Takimi i parë mes ministrave të Jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së dhe Ministrin e Jashtëm iranian, një javë pas sulmeve izraelite ndaj objekteve bërthamore dhe ushtarake të Iranit, përfundoi pas tre orësh pa asnjë përparim konkret. Qëllimi i bisedimeve, të mbajtura në një hotel në Gjenevë, [...]Read More...

Takimi i parë mes ministrave të Jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së dhe Ministrin e Jashtëm iranian, një javë pas sulmeve izraelite ndaj objekteve bërthamore dhe ushtarake të Iranit, përfundoi pas tre orësh pa asnjë përparim konkret.
Qëllimi i bisedimeve, të mbajtura në një hotel në Gjenevë, ishte të bindnin Teheranin të pranonte kontrolle më të thelluara nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) mbi programin e tij bërthamor dhe aktivitetet me raketa balistike, për të shmangur një ndërhyrje të mundshme ushtarake nga SHBA.
Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se është ofruar një “paketë gjithëpërfshirëse negociuese”, ndërsa shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, tha se “kanë rënë dakord të mbajnë diskutimet të hapura”.
Por Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, përsëriti qëndrimin e tij refuzues: “Nuk kemi asgjë për të negociuar ndërkohë që sulmet e Izraelit vazhdojnë.” Ai theksoi se Irani është i gatshëm vetëm për diskutime mbi çështje bërthamore dhe rajonale, por jo për programin e tij të raketave.
Ministrat evropianë shprehën shqetësim për situatën në rajon dhe bënë thirrje për rifillimin e dialogut, përfshirë me SHBA. Ndërkohë, Uashingtoni ka sinjalizuar se mbështet përpjekjet diplomatike, por nuk përjashton një ndërhyrje ushtarake nëse përshkallëzimi vazhdon.
Bisedimet u pezulluan për “konsultime të brendshme”, por sipas burimeve iraniane, nuk përbëjnë fundin e dialogut. Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është paqësor, ndonëse vazhdon pasurimin e uraniumit në nivel 60%, shumë afër pragut për prodhimin e armëve bërthamore. / abcnews.al