Bislimi: Mbretëria e Bashkuar ka qenë gjithmonë aleate e palëkundur
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë mbrëmë në pritjen e organizuar nga ambasada britanike në Kosovë, me rastin e Ditëlindjes së Madhërisë së Tij, Mbretit Charles III. Në fjalën e tij, ai u shpreh se Mbretëria e Bashkuar mban një vend të veçantë në […]
![Bislimi: Mbretëria e Bashkuar ka qenë gjithmonë aleate e palëkundur](https://orainfo.net/wp-content/uploads/2024/06/655500-bislimi-mbreteria-e-bashkuar-ka-qene-gjithmone-aleate-e-palekundur.webp)
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë mbrëmë në pritjen e organizuar nga ambasada britanike në Kosovë, me rastin e Ditëlindjes së Madhërisë së Tij, Mbretit Charles III.
Në fjalën e tij, ai u shpreh se Mbretëria e Bashkuar mban një vend të veçantë në zemrat dhe mendjet tona, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.
“Në rrugëtimin tonë për liri, Mbretëria e Bashkuar ka qenë gjithmonë një aleat i palëkundur – një komb që përkrah lirinë dhe vlerat demokratike, që na qëndruan pranë gjatë luftës dhe përpjekjeve tona për çlirim, dhe vitet pasuese të rindërtimit të vendit tonë. Javën e kaluar, pritëm ish-kryeministrin Tony Blair, për të shënuar së bashku 25 vjet nga çlirimi i Kosovës. Ne e vlerësojmë shumë dhe nuk do ta harrojmë kurrë mbështetjen e tij të palëkundur gjatë luftës.” tha zëvendëskryeministri.
Më tej, ai shtoi se Kosova është tashmë një shtet i cili synon anëtarësimin në OKB, BE, NATO, Këshill të Evropës, dhe që po fuqizon themelet e demokracisë dhe lirisë, të drejtave civile dhe sundimit të ligjit.
“Në aspiratat dhe rrugëtimin që kemi përpara, ne kemi besim se me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve tanë perëndimorë, do t’i arrijmë qëllimet tona, teksa marrëdhëniet tona diplomatike, vizitat dypalëshe, bashkëpunimi dhe lidhja ndërnjerëzore po forcohen dita-ditës. Një lidhje më e thellë në politikë, kulturë, ekonomi, siguri dhe shumë fusha të tjera.” përfundoi zëvendëskryeministri.