BOMBA E FABRIZIO ROMANOS: Modriç rinovon me Milanin, por Real Madridi e pret

Fabrizio Romano zbulon detaje të reja mbi të ardhmen e Luka Modriçit: kroati është plotësisht i fokusuar te Milani, ndërsa një rikthim në Real Madrid në të ardhmen nuk përjashtohet.
Luka Modriç ka vendosur të vazhdojë aventurën e tij me Milanin, pavarësisht pasigurive që shoqëruan klubin gjatë verës. Moskualifikimi për Ligën e Kampionëve dhe largimi i trajnerit Massimiliano Allegri bënë që shumëkush të mendonte se aventura e kroatit në “San Siro” do të zgjaste vetëm një sezon.
Megjithatë, 41-vjeçari zgjodhi të rinovojë kontratën me kuqezinjtë dhe do të jetë pjesë e Milanit edhe për sezonin 2026/27, nën drejtimin e trajnerit të ri Ruben Amorim.
Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, Modriç është aktualisht i përqendruar tërësisht te Milani, edhe pse lidhja e tij me Real Madridin mbetet shumë e fortë, përcjell ORAinfo.
“Real Madridi është shtëpia e tij”
Duke folur në kanalin e tij në YouTube, Romano theksoi se Modriç nuk e ka fshehur dëshirën për t’u rikthyer një ditë në Madrid.
“Siç i ka thënë Luka Modriç ‘Marca’-s ditët e fundit, Real Madridi është shtëpia e tij dhe ai shpreson të rikthehet një ditë te ‘Los Blancos’”, u shpreh Romano.
Sipas tij, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, e sheh Modriçin si një figurë të rëndësishme edhe për të ardhmen e klubit, por jo domosdoshmërisht në fushën e lojës.
“Florentino Perez e pret personalisht në Real Madrid. Gjatë zgjedhjeve të fundit, të cilat i fitoi, ai kishte kontaktuar tashmë njerëz pranë Modriçit për të diskutuar mundësinë që kroati të marrë një rol drejtues në klub një ditë. Natyrisht, nuk po flasim për fushën, por për drejtimin e klubit”, shtoi Romano.
Modriç zgjodhi Milanin në një moment të vështirë
Romano vlerësoi veçanërisht vendimin e Modriçit për të qëndruar te Milani, pavarësisht ndryshimeve të mëdha në klub.
“Luka është plotësisht i fokusuar te Milani. Ai zgjodhi të qëndrojë në një moment pasigurie, në fillim të qershorit, kur situata në klub ishte e paqartë”, tha gazetari italian.
Ndërkohë, largimi i drejtuesve dhe i trajnerit Allegri, me të cilin Modriç kishte krijuar një marrëdhënie shumë të mirë, nuk e ndryshoi vendimin e mesfushorit.
“Ai zgjodhi Milanin si një milanist i vërtetë, si një njeri që nuk e braktis anijen në momente vështirësie”, theksoi Romano.
Rikthimi në Madrid mund të presë
Edhe pse Real Madridi e sheh Modriçin si një kandidat për një rol drejtues në të ardhmen, vendimi për momentin është i qartë.
“Modriç është 100% i fokusuar te Milani dhe te mundësia për të dhënë më të mirën me fanellën kuqezi. Real Madridi mund ta presë, por ritmin do ta përcaktojë vetë Modriç”, përfundoi Romano. /ORAinfo/
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



