Brienz: 25 familje shqyrtojnë largimin për shkak të rrezikut nga rrëshqitja e dheut
Njëzet e pesë familje nga fshati malor Brienz (kantoni Graubünden) po shqyrtojnë mundësinë e zhvendosjes së përhershme, pas rrezikut të vazhdueshëm nga një rrëshqitje e madhe dheu që ka kërcënuar zonën që nga nëntori i kaluar. Kjo lëvizje mund të përbëjë zhvendosjen parandaluese më të madhe ndonjëherë të ndërmarrë në Zvicër për shkak të një […] The post Brienz: 25 familje shqyrtojnë largimin për shkak të rrezikut nga rrëshqitja e dheut appeared first on Albinfo.

Njëzet e pesë familje nga fshati malor Brienz (kantoni Graubünden) po shqyrtojnë mundësinë e zhvendosjes së përhershme, pas rrezikut të vazhdueshëm nga një rrëshqitje e madhe dheu që ka kërcënuar zonën që nga nëntori i kaluar. Kjo lëvizje mund të përbëjë zhvendosjen parandaluese më të madhe ndonjëherë të ndërmarrë në Zvicër për shkak të një fatkeqësie natyrore ende të pandodhur, raporton albinfo.ch.
Rreth 1.2 milionë metra kub shkëmb kërcënojnë fshatin, i cili mbetet i evakuuar që prej nëntorit 2024. Deri më tani, banorët lejohen të hyjnë në shtëpitë e tyre vetëm në orare të kufizuara ditore dhe nën masa të rrepta sigurie.
Sipas Roland Tremp, kryetar i grupit të punës për zhvendosjen, gjithnjë e më shumë banorë po heqin dorë nga shpresa për rikthim dhe po kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme jashtë Brienzit. Por procesi i zhvendosjes është i ndërlikuar: ligji aktual kërkon që për të marrë ndihmë financiare nga shteti, shtëpitë ekzistuese duhet më parë të shemben – një kusht që banorët e konsiderojnë “drastik” dhe emocionalisht të rëndë.
Në mungesë të dëmeve aktuale fizike nga rrëshqitja, ndihma financiare konsiderohet masë parandaluese dhe nuk jepet paraprakisht. Për të kapërcyer këtë pengesë, autoritetet kantonale të Graubünden kanë ofruar një kredi ndërmjetëse që do t’u mundësojë familjeve të planifikojnë ndërtimin ose zhvendosjen para shembjes së shtëpive të tyre, raporton albinfo.ch.
Banorët kanë afat deri më 30 shtator për të dorëzuar kërkesën për strehim të ri. Tremp thekson se vendimet individuale do të kenë ndikim të madh edhe në planifikimin urban dhe infrastrukturor: “Nëse largohen 25 familje, impakti është krejtësisht ndryshe sesa nëse mbeten vetëm pesë”.
Zhvendosja e mundshme do të transformojë tërësisht Brienzin – jo vetëm në pamje, por edhe në funksionalitet. Rrjetet e ujit, kanalizimeve, rrugëve dhe energjisë janë të dizajnuara për një komunitet më të madh dhe kërkojnë investime të konsiderueshme që vënë në vështirësi një komunë kaq të vogël.
Një ndërtesë që me gjasë do t’i mbijetojë kësaj situate është kisha e fshatit, e ndërtuar në vitin 1519 dhe e mbrojtur si trashëgimi kulturore. Nëse Brienz braktiset përfundimisht, kisha mund të mbetet simboli i vetëm i fshatit të dikurshëm.
Sipas Tremp, përvoja e Brienzit mund të shërbejë si model për komunat e tjera që mund të përballen me rreziqe të ngjashme natyrore në të ardhmen. Por për rreth 80 banorët e evakuuar, përparësi mbeten siguria, strehimi dhe e ardhmja e familjeve të tyre, raporton albinfo.ch.
The post Brienz: 25 familje shqyrtojnë largimin për shkak të rrezikut nga rrëshqitja e dheut appeared first on Albinfo.