Britania angazhohet në mbrojtjen ajrore të Polonisë pas shkeljeve nga Rusia
Avionë luftarakë britanikë të tipit Typhoon kanë realizuar një mision të mbrojtjes ajrore të NATO-s mbi hapësirën ajrore të Polonisë, në përgjigje të shkeljeve të përsëritura nga dronë rusë, bëri të ditur Ministria britanike e Mbrojtjes. Misioni u zhvillua të premten në mbrëmje, si pjesë e përpjekjeve të aleancës ushtarake për të forcuar krahun lindor [...]Read More...

Avionë luftarakë britanikë të tipit Typhoon kanë realizuar një mision të mbrojtjes ajrore të NATO-s mbi hapësirën ajrore të Polonisë, në përgjigje të shkeljeve të përsëritura nga dronë rusë, bëri të ditur Ministria britanike e Mbrojtjes.
Misioni u zhvillua të premten në mbrëmje, si pjesë e përpjekjeve të aleancës ushtarake për të forcuar krahun lindor të saj, në një kohë kur tensionet janë rritur ndjeshëm për shkak të incidenteve të përsëritura nga Rusia në hapësirën ajrore të vendeve anëtare të NATO-s.
Muajin e fundit janë raportuar disa shkelje të tilla: një dron u zbulua në hapësirën ajrore të Rumanisë, ndërsa avionë luftarakë rusë depërtuan në atë të Estonisë, pas incidenteve të ngjashme në Poloni. Rusia ka mohuar ose minimizuar këto shkelje.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, deklaroi se fluturimet e RAF-it dërgojnë “një mesazh të qartë: Hapësira ajrore e NATO-s do të mbrohet”. Ai shtoi: “Jam krenar për pilotët dhe ekuipazhin britanik që morën pjesë në këtë operacion të suksesshëm për të mbrojtur aleatët tanë nga agresioni i pamatur rus.”
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, dy avionë Typhoon u ngritën nga baza RAF Coningsby në Lincolnshire të premten në mbrëmje dhe patrulluan mbi Poloni, të mbështetur nga një avion furnizimi në ajër RAF Voyager. Ata u kthyen në Mbretërinë e Bashkuar të shtunën në mëngjes.
Misioni, i quajtur “Eastern Sentry” (Roja Lindore), u shpall nga NATO më 10 shtator, pas 19 shkeljeve me dronë të hapësirës ajrore të Polonisë. Pesë ditë më vonë, gjatë një vizite në bazën RAF Brize Norton, Healey konfirmoi përfshirjen britanike.
Ai e përshkroi sjelljen e Rusisë si “të pamatur, të rrezikshme dhe të paprecedentë”, duke theksuar: “Kur përballemi me kërcënime, ne përgjigjemi së bashku.” Moska, nga ana e saj, këmbëngul se “nuk ka plane për të sulmuar” objekte në Poloni.
Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, dronë dhe raketa ruse kanë devijuar herë pas here në vendet fqinje, por incidenti me 19 dronë që hynë në hapësirën ajrore të Polonisë në një ditë të vetme është vlerësuar si më seriozi deri më tani. Tre prej tyre u rrëzuan nga mbrojtja ajrore polake, duke shënuar ndërhyrjen e parë të drejtpërdrejtë të një vendi anëtar të NATO-s kundër dronëve rusë që nga nisja e luftës./abcnews.al