Brukseli i ndryshon oraret, publikohet agjenda e re e takimeve Kurti, Vuçiq, Borrell

Bashkimi Europian në faqen zyrtare ka publikuar orare tjera të takimeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Takimet, që fillimisht ishin planifikuar për orën 15:00, do të nisin nga ora 16:30. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, do të takojë fillimisht kryeministrin Albin Kurti nga ora 16:30, ndërsa gjysmë ore më pas do të zhvillojë […]

Brukseli i ndryshon oraret, publikohet agjenda e re e takimeve Kurti, Vuçiq, Borrell

Bashkimi Europian në faqen zyrtare ka publikuar orare tjera të takimeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Takimet, që fillimisht ishin planifikuar për orën 15:00, do të nisin nga ora 16:30.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, do të takojë fillimisht kryeministrin Albin Kurti nga ora 16:30, ndërsa gjysmë ore më pas do të zhvillojë takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi i përbashkët trepalësh është planifikuar të nisë në orën 18:00 dhe pas këtij takimi Borrell do të deklarohet për media.

Kryeministri Kurti tashmë ka udhëtuar për në Bruksel.

“Takimet do të analizojnë atë që është arritur në dialog nën udhëheqjen e Përfaqësuesit të Lartë dhe do të fokusohen në rrugën përpara”, thuhet në njoftimin e BE-së për takimin e sotëm.

BE tha se do të ketë deklarata për mediat nga kryediplomati Borrell përpara dhe në fund të takimeve.

Kryeministri Kurti dje tha se beson që takimi me presidentin serb në Bruksel do të jetë “në funksion të rikapitulimit të këtij procesi trevjeçar” të dialogut.

“Besoj që përveç tjerash, takimi i nesërm edhe bilateral edhe trilateral do të jetë në funksion të rikapitulimit të këtij procesi trevjeçar. Të shohim se në çfarë gjendje ndodhemi dhe cilat janë idetë se si mund të ecet përpara”, tha ai në një deklarim para gazetarëve dje.

Ky është takimi i parë që do të zhvillohet mes dy liderëve pas sulmit terrorist në Banjskë.

Për këtë, Kurti tha dje se tensionet dhe eskalimet “e kanë adresën, sepse përgjegjësinë e fajësinë në Beogradin zyrtar”.

Për takimin dje shkroi edhe Lajçak, i cili tha se pret “guxim politik” nga Kurti dhe Vuçiq.

“Gjithçka është vendosur për nesër dhe ne shpresojmë që të dy liderët të vijnë me vizionin dhe guximin politik të nevojshëm për t’i sjellë Kosovën dhe Serbinë më afër të ardhmes së tyre europiane”, tha Lajçak. Ai theksoi se vizitat e fundit në Prishtinë e Beograd i kishte në funksion të planifikimit të këtij takimi.