Bullakaj përballet me komente raciste: “Ik në Kosovë”, “zviceran vetëm në letër”

“Hau ab in den Kosovo” (“Ik në Kosovë”), “Papierschweizer” (“zviceran vetëm në letër”) dhe “Krebsgeschwür” (“tumor kanceroz”) janë disa nga komentet që Bullakaj thotë se janë shkruar nën videot e tij në rrjetet sociale, shkruan albinfo.ch.
Sipas tij, këto mesazhe nuk vijnë nga profile anonime, por edhe nga “njerëz të vërtetë, me profile të vërteta”.
“Një fyerje nuk është opinion. Racizmi nuk është opinion. Dhe interneti nuk është një hapësirë pa ligj”, ka reaguar Bullakaj, përcjell albinfo.ch.
Ai thotë se nuk i publikon këto komente për t’u dhënë autorëve të tyre edhe më shumë vëmendje, por për të sensibilizuar opinionin dhe për të kundërshtuar normalizimin e gjuhës së urrejtjes në internet.
“Po i tregoj sepse duhet të ndalojmë së mbylluri sytë”, shprehet ai.
Bullakaj tërheq vëmendjen se urrejtja online nuk është një problem periferik dhe se pasojat e saj shkojnë përtej personit që sulmohet drejtpërdrejt. Komentet lexohen edhe nga familjarët, miqtë dhe, veçanërisht, nga të rinjtë që mund të dëshirojnë të angazhohen në jetën publike.
Sipas deputetit, të rinjtë duhet ta dinë se nuk janë vetëm dhe se nuk duhet ta pranojnë në heshtje racizmin dhe fyerjet.
Ai u bën thirrje qytetarëve që rastet e gjuhës raciste të urrejtjes t’i raportojnë në platformat përkatëse, në polici ose përmes platformës zvicerane për raportimin e racizmit online.
“Çdo raportim vendos një kufi”, thekson Bullakaj.
Mesazhin e tij ai e përmbyll me një thirrje për solidaritet: “Urrejtja është e zëshme. Por solidariteti është më i madh.”
The post Bullakaj përballet me komente raciste: “Ik në Kosovë”, “zviceran vetëm në letër” appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



