Çështja e emigracionit në Britani, Keir Starmer e pranon: Lufta ndaj gomoneve, dështoi
Zyra e Kryeministrit britanik ka pranuar për herë të parë publikisht se situata e gomoneve që transportojnë ilegalisht emigrantë nga Franca drejt brigjeve angleze është duke u përkeqësuar. Deklarata erdhi menjëherë pas takimit dypalësh mes kryeministrit britanik Sir Keir Starmer dhe presidentit francez Emmanuel Macron, të zhvilluar në kuadër të samitit të G7 në Kanada. [...]Read More...

Zyra e Kryeministrit britanik ka pranuar për herë të parë publikisht se situata e gomoneve që transportojnë ilegalisht emigrantë nga Franca drejt brigjeve angleze është duke u përkeqësuar. Deklarata erdhi menjëherë pas takimit dypalësh mes kryeministrit britanik Sir Keir Starmer dhe presidentit francez Emmanuel Macron, të zhvilluar në kuadër të samitit të G7 në Kanada.
Dy liderët ranë dakord për të intensifikuar bashkëpunimin dhe për të kërkuar “rrugë inovative” në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe ndalimin e kalimeve të rrezikshme përmes kanalit të La Manshit.
Pavarësisht investimeve të mëdha britanike – përfshirë një shumë prej 480 milionë paundësh të paguara Francës për të forcuar praninë policore përgjatë vijës bregdetare – numri i emigrantëve që kalojnë në mënyrë të paligjshme vijon të rritet. Sipas të dhënave zyrtare, mbi 16 mijë emigrantë kanë arritur të kalojnë në territorin britanik që nga fillimi i vitit, një rritje prej 42% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, autoritetet franceze argumentojnë se ndërhyrja në momentin kur gomone të mbushura me emigrantë ndodhen në ujërat territoriale apo janë në përgatitje për nisje, mund të shkelë ligjet ndërkombëtare të detit dhe të rrezikojë jetën e njerëzve në bord. Në vend të ndalimit, shpeshherë forcat franceze vetëm vëzhgojnë dhe dokumentojnë vizualisht situatën, pa ndërhyrë drejtpërdrejt.
Kryeministri britanik Starmer, gjatë bisedimeve me homologen italiane Giorgia Meloni, theksoi rolin udhëheqës të Britanisë në luftën globale kundër trafikimit të njerëzve, ndonëse situata në Kanalin e La Manshit mbetet sfiduese. / abcnews.al