Ulen çmimet e energjisë elektrike në Zvicër, familjet do të paguajnë më pak në 2027

Ulen çmimet e energjisë elektrike në Zvicër, familjet do të paguajnë më pak në 2027

Komisioni Federal i Energjisë Elektrike (ElCom) ka bërë të ditur të martën se tarifat e energjisë elektrike do të pësojnë një tjetër ulje gjatë vitit të ardhshëm.

Një familje me konsum mesatar prej 4,500 kilovat-orësh në vit do të paguajë rreth 26.45 centi për kilovat-orë në vitin 2027. Kjo është afërsisht 1.2 centi më pak se këtë vit.

Në total, fatura vjetore për një familje të tillë pritet të jetë rreth 1,194 franga, ose 53 franga më pak krahasuar me vitin 2026, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Ulja e përgjithshme vjen kryesisht si rezultat i çmimeve më të favorshme të energjisë. Megjithatë, jo të gjithë komponentët e faturës do të bëhen më të lirë: tarifa e energjisë do të ulet, ndërsa kostot e rrjetit dhe tarifat për matjen e konsumit pritet të rriten. Një tendencë e ngjashme parashikohet edhe për ndërmarrjet e mesme.

Megjithatë, konsumatorët nuk do të përfitojnë njësoj në të gjithë Zvicrën. ElCom thekson se ekzistojnë dallime të konsiderueshme rajonale, kryesisht për shkak të mënyrës se si operatorët lokalë sigurojnë energjinë dhe pjesës së energjisë që prodhojnë vetë.

Kjo do të jetë ulja e tretë radhazi e çmimeve të energjisë elektrike në Zvicër. Tarifat ranë rreth 10 për qind në vitin 2025 dhe rreth 4 për qind në vitin 2026, pas rritjeve të mëdha të regjistruara gjatë viteve 2023 dhe 2024.

The post Ulen çmimet e energjisë elektrike në Zvicër, familjet do të paguajnë më pak në 2027 appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.