Ulja e çmimit të transportit publik në Gjenevë po jep rezultate

Subvencionimi i abonimeve të transportit publik në Gjenevë për të rinjtë dhe pensionistët ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e përdorimit të transportit publik dhe në uljen e përdorimit të automjeteve private.
Masa e ndërmarrë nga autoritetet e Gjenevës që nga viti 2025, për subvencionimin e abonimit të transportit publik Unireso për personat nën 25 vjeç, si dhe mbulimi i gjysmës së kostos për pensionistët AVS/AI, ka dhënë rezultate konkrete.
Sipas një raporti të publikuar të martën nga Departamenti i Shëndetësisë dhe Lëvizshmërisë (DSM), personat që përfitojnë nga kjo masë e kanë dyfishuar frekuencën e përdorimit të transportit publik.
Studimi tregon se përqindja e përdoruesve që udhëtojnë çdo ditë me transport publik është rritur nga 19% në 37%. Ndërkohë, përdorimi i transportit publik për udhëtime të lidhura me punën ose studimet është rritur nga 23% në 46%.
Hulumtimi u realizua nga një grup që përfshin edhe EPFL, kompaninë e transportit publik të Gjenevës (TPG) dhe zyrën Mobil’homme.
Më pak përdorim të automjeteve
Në dy fazat e studimit, të zhvilluara në fund të vitit 2024, para hyrjes në fuqi të masës, dhe një vit më vonë, morën pjesë më shumë se 6 mijë persona.
Rreth një e treta e abonentëve të rinj deklaruan se e përdorin makinën më pak se më parë. Kjo përqindje rritet në 40 deri në 46% te personat që para zbatimit të masës e përdornin automjetin çdo ditë.
Te të rinjtë që përfitojnë nga masa – banorë të Gjenevës që plotësojnë kushtet e përcaktuara për trajnim dhe të ardhura, si dhe persona që nuk janë rezidentë, por ndjekin një trajnim në kanton – ndryshimi është gjithashtu i dukshëm.
Pak më shumë se një e treta e atyre që më parë përdornin makinën dy ose tri herë në javë, tani e përdorin atë vetëm një herë në javë.
Ndër pensionistët, 43% e atyre që më parë përdornin automjetin pothuajse çdo ditë, tani e përdorin vetëm dy ose tri herë në javë.
Kursimet përdoren për shpenzimet e përditshme
Sipas DSM-së, përfituesit kanë deklaruar se 45% e kursimeve nga transporti publik i përdorin për shpenzimet e përditshme.
Autoritetet vlerësojnë se kjo kontribuon në përmbushjen e një prej objektivave kryesore të programit: rritjen e fuqisë blerëse të qytetarëve.
Te të rinjtë, ndërkaq, programi duket se ka nxitur kryesisht një qasje më aktive për të përfituar nga transporti publik falas.
Masa mund të ketë përfshirë rreth 200 mijë persona, në një kanton me rreth 530 mijë banorë.
Sipas DSM-së, një vlerësim i ri për efektet e masës gjatë vitit 2026 pritet të publikohet në fillim të vitit 2027.
The post Ulja e çmimit të transportit publik në Gjenevë po jep rezultate appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



