Cocktail attire, një pasdite elegante në Vilën 31: Si u veshën të ftuarit?

Ka diçka të veçantë dhe tërheqëse në eventet e verës që zhvillohen pasditeve vonë, në ambiente të hapura. Drita është ende natyrale, atmosfera është e relaksuar, plot energji pozitive. Të fton të dalësh, të takohesh e të ndash një mbrëmje mes miqsh. Por kur në ftesë lexon “cocktail attire”, shumëkush ndalet e mendon: Sa formal […]

Cocktail attire, një pasdite elegante në Vilën 31: Si u veshën të ftuarit?

Ka diçka të veçantë dhe tërheqëse në eventet e verës që zhvillohen pasditeve vonë, në ambiente të hapura. Drita është ende natyrale, atmosfera është e relaksuar, plot energji pozitive. Të fton të dalësh, të takohesh e të ndash një mbrëmje mes miqsh.

Por kur në ftesë lexon “cocktail attire”, shumëkush ndalet e mendon: Sa formal duhet të jem? A mund të vesh lino? Apo është e domosdoshme një kostum?

Sekreti është të kuptosh rrethanat dhe vendin. Një mbrëmje lançimi me muzikë, performanca dhe të ftuar të kuruar nuk ka të njëjtin ton si një darkë gala. Ndaj merr frymë thellë dhe qetësohu. Këtu nuk bëhet fjalë për rregulla të rrepta, por për një ekuilibër të zgjuar mes finesës dhe rehatisë. Veshja duhet të jetë elegante, e menduar me kujdes, por pa teprime.

Le të shohim si u veshën të ftuarit në Vilën 31.

Për zonjat e mbrëmjes, zgjedhjet luhateshin mes fustaneve deri në gju ose pak më të gjatë, me prerje të lirshme dhe materiale të lehta si linoja dhe mëndafshi. Ngjyrat e çelëta, tonet pastel apo motivet me lule dukeshin për mrekulli nën rrezet e fundit të diellit. Kishte gjithashtu prekje moderne në oborrin e Vilës 31: një jumpsuit elegant, një alternativë e thjeshtë por plot hijeshi. Më e rëndësishmja për të ftuarat ishte të ndiheshin mirë, të ishin vetvetja, të lëviznin lirshëm, pa humbur finesën.

Ah po, edhe këpucët kishin pasarelën e tyre. Sandalet me takë, këpucët elegante dhe balerinat ishin zgjedhje ideale për të ecur mbi platformën e oborrit të Vilës 31, edhe për ato që kërcyen nën ritmet e Shkodrës Elektronike. Aksesoret ishin të thjeshta dhe të rafinuara: çanta të vogla, ndonjë palë syze për orët e para, vathë të vegjël dhe varëse delikate për të plotësuar pamjen. Ndërkohë, grimi ishte i lehtë dhe natyral, me tone të freskëta dhe një buzëkuq të butë, asgjë e ekzagjeruar.

Për zotërinjtë e Vilës 31, cocktail attire erdhi i rregullt, por jo tepër formal. Diku ndonjë xhaketë e hollë në ngjyra të çelëta, të bardha, bezhë, blu e zbehtë apo gri e lehtë, e kombinuar me pantallona elegante. Gjithmonë një zgjedhje e sigurt. Këmishët ishin të pastra, të thjeshta ose me një print të lehtë, të veshura pa kravatë, tërësisht të përshtatshme për atmosferën. Kishte edhe nga ata që zgjodhën një polo cilësore, një zgjidhje e thjeshtë, e sigurt dhe e rehatshme, që kombinohet lehtësisht me çdo lloj pantallonash. Për këpucët, mokasina, loafers ose modele të lehta prej lëkure.

Ajo që binte në sy ishte se të gjithë dukeshin bukur, pa shumë përpjekje. Eleganca e kësaj mbrëmjeje nuk kërkonte zhurmë, ajo ishte e natyrshme dhe e balancuar. Kur vishesh me kujdes, pa e ekzagjeruar, je në harmoni me veten dhe me ambientin përreth. Ndërsa gjithë vëmendjen tjetër e mori vetë eventi, performancat e balerinëve, kontrasti mes të bardhës dhe të zezës dhe veshjet e errta por ‘bold’ të Shkodrës Elektronike.