Compass Europa kërkon taksë për punëtorët e huaj në Zvicër

Compass Europa kërkon taksë për punëtorët e huaj në Zvicër

Aleanca Compass Europa, e cila kundërshton marrëveshjet e reja dypalëshe mes Zvicrës dhe Bashkimit Evropian, kërkon vendosjen e një takse të përhershme për punëdhënësit që rekrutojnë punëtorë nga jashtë vendit.

Sipas propozimit, taksa do të zbatohej gjatë pesë viteve të para të punësimit dhe do të llogaritej në bazë të pagës vjetore bruto, nga 1 për qind për pagat e ulëta deri në 15 për qind për të ardhurat mbi 300.000 franga.

Alfred Gantner, bashkëthemelues i Compass Europa, vlerëson se kjo masë mund të ulë imigracionin në Zvicër nga 80.000 në rreth 60.000 persona në vit, si dhe të gjenerojë rreth 1,35 miliardë franga të ardhura vjetore, të cilat propozohet t’u shpërndahen familjeve zvicerane.

Sipas aleancës, taksa do t’i nxiste kompanitë të rekrutonin më shumë punëtorë brenda vendit dhe të ofronin paga më të larta për të tërhequr fuqinë punëtore vendase.

Megjithatë, propozimi kundërshtohet nga sindikatat dhe Shoqata Zvicerane e Punëdhënësve. Sindikatat paralajmërojnë se një taksë e tillë mund të rrezikojë marrëveshjet dypalëshe me BE-në, ndërsa punëdhënësit vlerësojnë se ajo do ta bënte Zvicrën më pak konkurruese dhe do të rëndonte rekrutimin e profesionistëve të kualifikuar.

Compass Europa pranon se masa mund të jetë në kundërshtim me marrëveshjen për lëvizjen e lirë të personave me BE-në, por argumenton se Zvicrës i duhet një alternativë ndaj sistemit aktual.

Propozimi vjen në kohën kur në parlamentin zviceran po diskutohen marrëveshjet e reja me Bashkimin Evropian dhe masat e mundshme për kufizimin e imigracionit.

The post Compass Europa kërkon taksë për punëtorët e huaj në Zvicër appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.