Cyrih: Nga janari, lejet e parkimit në zonat blu do të kushtojnë shumë më shtrenjtë

Cyrih: Nga janari, lejet e parkimit në zonat blu do të kushtojnë shumë më shtrenjtë

Banorët e qytetit të Cyrihut do të përballen me shpenzime më të larta për parkimin e automjeteve në zonat blu, duke filluar nga 1 janari 2027. Autoritetet e qytetit kanë konfirmuar hyrjen në fuqi të rregullave të reja, sipas të cilave çmimi i lejes vjetore do të përcaktohet në bazë të peshës dhe llojit të motorit të automjetit.

Lejet vjetore të parkimit, të cilat deri tani kanë kushtuar 300 franga, do të shtrenjtohen ndjeshëm. Në shumë raste, çmimi do të kalojë 500 franga, ndërsa për automjetet e rënda SUV me motorë benzinë mund t’i afrohet edhe 1,000 frangave në vit, përcjell albinfo.ch.

Rregullat e reja parashohin gjithashtu zbatimin e të ashtuquajturit “Modeli i Bielit”. Sipas këtij sistemi, banorët që kanë në dispozicion vende private parkimi pranë banesave të tyre duhet t’i shfrytëzojnë ato përpara se të kenë të drejtë të pajisen me leje vjetore për parkim në zonat blu.

Ndryshimet mbështeten në vendimin e miratuar nga qytetarët e Cyrihut në referendumin e vitit 2025, kur 52.8 për qind e votuesve mbështetën propozimin për rregullimin e ri të parkimit. Megjithatë, zbatimi i tij ka shkaktuar kundërshtime nga partitë FDP, SVP dhe Die Mitte, të cilat kritikojnë faktin se disa lehtësime të parashikuara për bizneset janë bllokuar për shkak të procedurave ligjore.

Ndryshe nga banorët, disa biznese do të përfitojnë ulje të tarifave. Lejet e zakonshme të parkimit për ndërmarrjet me deri në gjashtë targa automjetesh do të kushtojnë 360 franga në vit, nga 480 franga sa kanë qenë më parë.

Lejet e vjetra do të mbeten të vlefshme më së voni deri më 30 prill 2027, ndërsa kërkesat për lejet sipas sistemit të ri duhet të dorëzohen deri më 15 janar 2027.

Ndryshimet prekin veçanërisht banorët që mbështeten në parkimin publik pranë vendbanimeve të tyre dhe pritet të rrisin shpenzimet vjetore për shumë pronarë automjetesh në Cyrih.

 

The post Cyrih: Nga janari, lejet e parkimit në zonat blu do të kushtojnë shumë më shtrenjtë appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.